E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holyfield, ai që nuk di kur është mjaft

Evander Holyfield vazhdon të shpresojë që të arrijë të bëjë gjëra të mëdha si atëherë kur ishte në ditët më të mira të karrierës. 44-vjecari vazhdon të ndeshet në ringun e boksit profesionist, duke kërkuar që të shijojë për herë të fundit lavdinë që kishte pasur dikur.
"Kam një qëllim", thotë Holyfield. "Dhe në rrugën për të arritur qëllimet të gjithë njerëzit kanë vështirësi. Njerëzit e fortë që janë numër 1 për një kohë të gjatë kanë vështirësitë më të mëdha, por ata mund t'i tejkalojnë ato. Ata thjesht nuk heqin dorë" u shpreh ai.
Me fitoret në këtë vit, Holyfield, që ka një bilanc prej 40 fitoresh, 8 humbjesh dhe 2 barazimeve, ka shtuar vetëbesimin dhe tashmë ka caktuar në janar të vitit të ardhshëm edhe mecin e tij të tretë pas rikthimit.
"Qëllimi im është që të bëhem kampion bote dhe derisa të arrij këtë ju do të më shihni në ring. Gjithcka që them nuk është vetëm për t'i bërë qejfin vetes, por e besoj plotësisht", thotë Holyfield.
Holyfield mund të jetë i vetmi që e beson një gjë të tillë. Ai renditet në mesin e 15 më të mirëve vetëm në versionin WBO, që është organizata e katërt për nga rëndësia në boksin profesionist. Rruga që ai duhet të bëjë për të arritur qëllimin e mund të jetë e gjatë me kilometra, dhe koha nuk është në anën e tij.
Mosha e tij e madhe e ka bërë që ai të konsiderohet si një lajm i së djeshmes. Edhe në kohën e një konkurrence të dobët në kategorinë e rëndë që po dominohet nga evropiano-lindorët, dhe kur ndihet nevoja e ndikimit amerikan, tifozët e boksit janë më shumë të interesuar për mecet ekzibicionale të Mike Tyson, sesa për synimin e Holyfieldit për titullin e kampionit.
Nëse Holyfield do të tërhiqej pas fitores ndaj John Ruiz në vitin 2000, ku i dha titullin në versionin WBA, ai do të ishte larguar si kampion në moshën 38-vjecare, duke i bërë vend vetes në historinë e boksit. Në vend që të bënte këtë ai vazhdoi të ndeshej dhe u mposht nga Ruiz, Chris Byrd e Larry Donald. Është rrahur pa pasur nevojë si fizikisht ashtu edhe psiqikisht.
Por, për të mirën apo të keqen e tij, Holyfield vazhdon të besojë verbërisht te vetvetja. "E gjithë bota do të ishte e suksesshme nëse të gjithë njerëzit nuk do të hiqnin dorë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›