Larsson: Nuk mund të refuzosh Manchesterin

Suedezi Henrik Larsson ka deklaruar se nuk ka mundur që të refuzojë ofertën e Manchester United, me fanellën e të cilit do të luajë në dy muajt e ardhshëm, pasi e sheh këtë si mundësinë e fundit për t'u aktivizuar me një skuadër të madhe.
"Kur mora vesh për ofertën e Manchesterit e kam ditur se kjo është mundësia që nuk mund të refuzohet. Jam 35-vjecar dhe nuk besoj se do të kem edhe një tjetër rast për të luajtur me një skuadër të madhe", ka thënë Larsson në një konferencë për media.
Suedezi ka luajtur me skuadrat e Feyenord dhe Celtic, ndërsa me Barcelonën ka fituar Ligën e Kampionëve dhe titullin e Spanjës para se të vendoste që të kthehej në skuadrën e zemrës.
"Ardhja në Manchester United për mua është një sfidë. Është një klub i madh me histori të madhe. Ndihem mirë dhe them se mund të ndihmojë skuadrën në këto ditë të rëndësishme", ka deklaruar ai.
Gjatë kohës kur aktivizohej në Skoci, Larsson për arsye familjare kishte refuzuar disa oferta për të kaluar në Premier League, por thotë se i njeh mirë bashkëlojtarët e tij.
"I kam parë në televizion, kam luajtur kundër tyre në kampionate botërore e evropiane. Janë futbollistë të shkëlqyeshëm dhe mezi pres që të futem në fushë bashkë me ta", ka shtuar suedezi.
Manchester United vazhdon të kryesojë në Premier League me dy pikë para Chelseat. Trajneri Alex Ferguson vlerëson se Larsson me përvojën e tij mund të ndihmojë skuadrën e tij në luftën për titull.
"Besoj se lufta për titull do të zgjasë deri në fund të sezonit, ndërsa periudha e shkurtë kur Larsson do të qëndrojë me ne mund të jetë më e rëndësishmja. Henrik gjithmonë ka pasur një ndjenjë të jashtëzakonshme për golin dhe mendoj se është një përforcim i mirë për klubin tonë", ka thënë Ferguson.
Suedezi do të mund të debutojë me skuadrën e Manchesterit më 7 janar në ndeshjen kundër Aston Villës, e vlefshme për Kupën FA. Gjatë qëndrimit në "Old Trafford" Larsson do të mund të zhvillojë shtatë ndeshje me skuadrën e "djajve të kuq".