E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhjeçi apo Zeka, cili është më i mirë?

Nga Ejup LLUMNICA

Këtë të shtunë, në hotelin "Grand" në Prishtinë, Federata e Futbollit të Kosovës do të bëjë zgjedhjen e 10 futbollistëve më të mirë për vitin 2006. Konkurrenca tejet e fortë bën që përzgjedhja e më të mirit për këtë vit të jetë shumë e vështirë. Është komisioni i formuar nga FFK-ja ai që do ta bëjë zgjedhjen e futbollistit, mirëpo kanë votuar edhe trajnerët e Superligës. Sipas disa burimeve, në listën më të ngushtë për ta marrë këtë epitet janë Haxhi Zeka, futbollist i Besës së Pejës, dhe Arben Zhjeci, futbollist i Prishtinës. Cili do të gëzohet në fund mbetet të shihet të shtunën. Haxhi Zeka, i cili për disa vjet mbizotëron në listën e golashënuesve, edhe sivjet është duke gëzuar një formë të mirë, gjë e cila ka bërë që ai të futet në listën e më të mirëve, mirëpo, në anën tjetër, fituesi i Kupës së Kosovës, Superkupës dhe njëherësh kampion vjeshtor në Superligë, Arben Zhjeci, ia rrezikon më së shumti këtë epitet Zekës. Po nga të njëjtat burime mësohet se, nëse futbollistët kanë vota të barabarta, atëherë do të shikohen paraqitjet individuale të tyre (golat, kartonët etj). Vitin e kaluar futbollisti më i mirë është shpallur Ilir Nallbani i Besës, i cili atë vit me skuadrën e tij pati fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Gjithsesi, ta fitosh epitetin e futbollistit më të mirë të vitit është një nder i madh për cdo lojtar. Andaj, ky për futbollistin është shpërblim për atë që tregon gjatë gjithë vitit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›