E Shtunë, 31 Tetor 2026

Advini, djali Hanit, “spiuni” kundër Maltës

Kur Ari Han tha në konferencën e tij për shtyp se e njihte shumë mirë lojën e Maltës po aq sa të Suedisë, ndaj së cilës mori një barazim 0-0 të merituar, trajneri i Shqipërisë kishte në bllokun e tij të shënimeve shumë detaje të kundërshtarit të radhës. Ditën që Shqipëria i mohoi fitoren Suedisë e Ibrahimovicit, një i dërguar special i tij ndiqte "live" nga stadiumi "Ta'Qali" takimin Maltë-Portugali (0-4). Dhe ky skauter nuk ishte askush tjetër përvec djalit të tij 33-vjecar, Advin Hanit. "Po, unë ndoqa takimin Maltë-Portugali. Sigurisht që këtë detyrë ma ngarkoi babai im, Ari Han, në marrëveshje edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit. Unë duhet të shihja kundërshtarin, pavarësisht se kisha dëshira të shihja Shqipëri-Suedi. I kam dhënë atij informacionet e nevojshme për të përgatitur ndeshjen kundër Maltës. Gjithsesi, është vështirë të nxjerrësh një konkluzion për Maltën, pasi Portugalia është një ekip shumë i fortë. Unë mendoj se Malta ka disa lojtarë të mirë. Ua kam frikën atyre. Numri 9 (Mifsud) dukej shumë mirë. Kundër Portugalisë, nuk ishte shumë i fuqishëm, por dukej që luante shumë mirë futboll", - thotë Hani Junior, i cili ka luajtur edhe vetë futboll deri të niveli i të rinjve.
"Nuk është hera e parë që e bëj këtë punë", - shton Advin, i cili vjen për herë të dytë në Shqipëri, pasi një qëndrimi të mëparshëm 2-3 ditor para tre muajsh. "Gjithmonë për punë. Kam parë shumë lojtarë. Skelën të Energi Kotbus vitin e kaluar. Ishte në ditët më të mira të tij. Shpëtoi ekipin nga rënia nga Bundesliga. Një tjetër është Lorik Cana. Lojtar i madh. Unë e pëlqej atë. Të të kërkojë Bajerni i Munihut nuk është pak, duhet të jesh më të vërtetë i lojtar i fuqishëm. Njoh shumë mirë Lalën. Në Shqipëri nuk kam parë ndonjë ndeshje të kampionatit, por me këtë merret federata juaj dhe e di se kush është i mirë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›