E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alegri dhe humor pas pikës me Suedinë

Pika e marrë kundër Suedisë ka shtuar dozën e alegrisë dhe humorit në kampin kuqezi. Kjo është reflektuar edhe dje në stërvitjen e pasdites, ku dukej qartë se lojtarët e Kombëtares ishin më të qetë dhe më të lirshëm. Futbollistët që luajtën kundër Suedisë kanë bërë vetëm disa seanca shkrydhëse dhe më pas janë lënë të lirë nga trajneri Han. Gjatë kohës që ky i fundit ishte i përqendruar te pjesa tjetër e lojtarëve, nuk munguan batutat mes Lalës, Skelës, Canës dhe të tjerëve. Për disa minuta protagonistë të alegrisë në fushën e lojës ishin kapiteni i kuqezinjve, Altin Lala me përgjegjësin e bazës materiale të sektorit të ekipeve kombëtare, Fatos Kademin. Të dy kanë bërë për disa minuta pasime të gjata me topin, të cilat u shoqëruan edhe me batuta humori nga Cana dhe Skela. "Mos ia mëso sekretet se do të të zërë vendin në Kombëtare", ishin ngacmimet që vinin në adresë të Lalës. Hyka ndërkaq ka preferuar të bëjë driblime dhe ushtrime me topin, cka dukej se ishte një lloj clodhje për të. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe Beqiri me Berishën. Ky i fundit u është afruar Skelës, Vangjelit dhe Canës, të cilët ishin ulur në fushë. Sapo Berisha është afruar duke bërë ushtrime ekstravagante me topin, nuk kanë munguar shakatë nga Skela dhe Cana, të cilët ishin ndoshta edhe lojtarët që e reflektonin më shumë nga të tjerët suksesin e së shtunës.
Lala
Megjithatë, kapiten Lala nuk harron t'u kujtojë shokëve të skuadrës se misioni i tyre nuk është përmbushur dhe duhet të tregohen të kujdesshëm në ndeshjen kundër Maltës. "Sic e shihni ekipi gëzon një gjendje shumë të mirë si fizike, ashtu edhe psikologjike dhe duhet të pohojmë se barazimi kundër Suedisë ka dhënë efekte pozitive, – ka thënë Lala për "Panorama Sport". – Megjithatë ne kemi për detyrë të marrim patjetër 3 pikët kundër Maltës dhe për ta bërë këtë gjë, duhet të eliminojmë euforinë dhe të tregohemi të duruar. Malta është ekip i vogël dhe ajo cka dinë të bëjnë më mirë ekipet e vogla, është që të mbyllen sa më shumë dhe sa më mirë në mbrojtje, cka do të thotë se nuk do të jetë e lehtë t'i mundim nëse mendojmë se kemi fitoren në xhep". Kapiteni është i mendimit se kundër Maltës në ndeshjen që do të luhet të mërkurën në "Qemal Stafa", trajneri duhet të hedhë në fushë një ekip më ofensiv. "Vendimet i merr trajneri dhe nuk mund të ndërhyj në këtë aspekt, por për të gjithë e dimë se nëse duhet të fitojmë, atëherë duhet të shënojmë gola dhe për këtë na nevojitet një skemë më sulmuese", ka thënë Lala.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›