Topi: “Unë, tifoz i zjarrtë i Ajaksit e Ari Hanit”

"Kam qenë një tifoz i zjarrtë i Ajaksit. Pa dyshim trajneri Ari Han është nga ato emra të elitës së futbollit botëror, duke e respektuar për të gjithë karrierën e tij edhe si trajner. U tregua shumë profesionist në ndeshjen e tij të parë zyrtare, në disiplinën në fushë". Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, shfaqet me petkun e një tifozi të madh. "Nuk është pjesë e një agjende të ditës, por është pjesë e kënaqësisë", - iu drejtua ai futbollistëve të Kombëtares e stafit teknik, në pritje e zhvilluar sot në Hotel "Tirana International", e para e tij, qysh kur drejtimin e përfaqësueses e ka marrë holandezi Ari Han. "y është një moment shumë emocionant për mua, sepse nuk është pjesë e një axhende të punës së ditës, por është një pjesë e kënaqësisë shumë tradicionale që është rritur bashkë me moshën time dhe që në momentin kur kam filluar të kuptoj se c'është futbolli, ai pasion nuk më është shkëputur asnjëherë. Unë kam kënaqësinë e vecantë që jam sot këtu edhe për të ndarë së bashku atë emocion që e kanë të gjithë shqiptarët dhe për t'ju falenderuar në emër të tyre, sepse sot ju përbëni një pjesë shumë të rëndësishme të identitetit kombëtar. Kombëtarja e Shqipërisë i ka dhënë vlerë shumë të vecantë emrit të Shqipërisë, sportit shqiptar. Sinqerisht ju falenderoj për të gjitha ato emocione që na keni falur dhe jam i bindur që emocione shumë më të forta do të na dhuroni duke filluar nga ndeshja e sotme. Jam i bindur që do të ketë një impenjim maksimal për të arritur në një rezultat pozitiv, por c'ka është më e rëndësishme për të patur një rritje drejt atyre standardeve që më së fundi dhe ne të jemi kompetitivë qoftë në Kampionatin Evropian, qoftë dhe në Kupën e Botës".