Advokat, në finale kundër së kaluarës
Trajneri i Zenit Shën Petersburgut, Dik Advokat, ka deklaruar se është gati të frenojë dëshirën për trofe të ish-skuadrës së tij, Rejnxhërs Gllasgou, me të cilën do të ndeshet në finalen e Kupës UEFA. Holandezi ishte në postin e trajnerit të ekipit skocez nga viti 1998 deri në vitin 2001, por tani nuk mendon për t‘i bërë një nder Rejnxhërsit, duke kërkuar vetëm fitoren në sfidën mes dy skuadrave. "Është një gjë fantastike që do të ndeshemi në finale me Rejnxhërsin. Do të jetë një moment i paharrueshëm dhe pres me padurim të takoj Dejvid Mërrei dhe të gjithë shokët që kam njohur gjatë qëndrimit në Skoci. Por nuk do të shqetësohem nëse i mund. Ky është një eveniment sportiv, një finale kupe dhe padyshim që dëshiroj të fitojë skuadra ime aktuale. Shpresoj që ndeshjen ta fitojë skuadra më e mirë në fushë. Bastexhinjtë mund të na cilësojnë si favoritë, por unë mendoj se shanset janë të barabarta, 50 me 50. Por po e pres me padurim këtë ndeshje, që besoj se do të jetë e shkëlqyer", u shpreh trajneri holandez, pasi Rejnxhërs mundi Fiorentinën falë 11-metërshave. Advokat u punësua nga Dejvid Mërrei në vitin 1998, për të zëvendësuar Uollter Smith, i cili nuk kishte arritur të fitonte kampionatin për të dhjetin sezon radhazi. Në sezonin e tij të parë në drejtimin e Rejnxhërs, Advokat fitoi të tri trofetë në Skoci, ndërsa një vit më vonë arriti të fitonte kampionatin dhe kupën. Megjithatë, pas emërimit të Martin O‘Nill në stolin e Sëlltikut, Rejnxhërs u kthyen në forcën e dytë të kampionatit. Advokat dha dorëheqjen në dhjetorin e vitit 2001, pak ditë pasi kishte kaluar në turin e tretë të Kupës UEFA me skuadrën e Rejnxhërs. Si për ironi të fatit, largimi i tij u justifikua me faktin se nuk kishte arritur të dërgonte ekipin në një finale të turneve ndërkombëtarë.