E Shtunë, 31 Tetor 2026

David Vija "çmend" të mëdhenjtë. Reali, superofertë për sulmuesin

E ardhmja e David Vijës duket se është e lidhur me Realin e Madridit, por gara për të siguruar shërbimet e tij nuk duket aspak e lehtë. Një ndërthurje ofertash e dëshirash, që duket se do të sjellë telenovelën e radhës në merkaton e futbollistëve. Sipas gazetës iberike "Marca", madrilenët janë shumë pranë lojtarit, por edhe Interi nuk ka ndërmend të tërhiqet për të afruar sulmuesin e kombëtares spanjolle. Ndërkohë, 26-vjeçari ka bërë të ditur se do t‘i pëlqente të transferohej në kampionatin anglez. Spekulimet janë ndezur, pas deklaratës së bërë nga Vija, që pak ditë më parë pohoi se gjatë verës do të largohej nga Valencia, transferim që do të ndihmonte në zgjidhjen e situatës aspak të mirë financiare që po kalon klubi.

Për të blerë sulmuesin, Reali është gati të ofrojë 30 milionë euro plus njërin ndërmjet Esteban Granero ose Ruben De la Red. Nga ana tjetër, Interi ka filluar kontaktet e para për David Vijën, por sipas "Marcas" gjithçka ka mbetur pezull, pasi ish-lojtari i Saragozës pret lëvizjen konkrete nga "merengues". Fillimisht Valencia mendonte ta shiste kartonin e futbollistit për 20 milionë euro, por tashmë drejtuesit e klubit vendosën ta dyfishonin çmimin. Trajneri Bernd Shuster bëri të qartë se dëshiron që në sezonin e ri të ketë në dispozicion një sulmues të fortë, duke mos e fshehur simpatinë për holandezin Jan-Klas Huntelar. Pra, në merkaton e verës do të ketë një "duel" Vija-Huntelar, fituesi i të cilit do të vendoset nga drejtuesit madrilenë: klubi nuk ka ndërmend që të blejë më shumë se një sulmues për edicionin e ri. 40 milionë eurot e pretenduara nga Valencia për Vijën duket se nuk kanë trembur as Interin e Moratit. Presidenti Masimo Morati ka mbetur i mahnitur nga loja e 26-vjeçarit, kur dy sezone më parë ai ka shënuar nga distanca e largët në eliminimin që spanjollët i shkaktuan zikaltërve nga Liga e Kampioneve. "Për repartin ofensivë, Interi mund të mbështetet tek Ibrahimoviç dhe Kruz, por italianët kërkojnë edhe një sulmues, që shënon me vazhdimësi. Me David Vijën, ata do të tentonin të fitonin Championsin vitin e ardhshëm", siguronte "Marca", duke kujtuar, ndër të tjera, se kampionët e Serisë A po ndjekin me vëmendje edhe zhvillimet rreth sulmuesit të Çelsit, Dider Drogba.

Kandidate serioze për Vijën është edhe Totenhemi. Shumë media ndërkombëtare e kanë nënvlerësuar rolin e "Hotspur", edhe pse ata janë ndër klubet më të pasura në Angli. Kjo është njëra arsye, përse skuadra e Huande Ramos nuk mund ta quajë veten jashtë garës. Në ndihmë të Totenhemit ka ardhur edhe lojtari, i cili dëshiron të provojë fatin në Premiership. Së fundmi, ai ka thënë se do t‘i pëlqente të luante me Çelsin ose Arsenalin, por Venger ka bërë të ditur se Vija nuk u nevojitet "topçinjve". Kjo deklaratë i hap rrugën Huande Ramosit, me të cilin sulmuesi ka pohuar se do t‘i pëlqente të punonte. Në Angli besojnë se kontaktet e klubit nga "Uajt Hart Lajn" me Valencian kanë filluar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›