E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur kampionët janë për të "prishur punë"

Kur nuk është Tirana edhe donatorët nuk janë protagonistë. Në ditët e bukura na dukej sikur pa milionat e tyre, topi nuk mund të rrotullohej. Por këtë herë është ndryshe: një Tiranë që kujton se do të shmangë zhgënjimin nëse fiton Kupën. Nuk ishim mësuar, sidomos në vitet e fundit, që kampionët të mbeteshin jashtë garës për titull. Akoma më keq, kur misioni i tyre në kampionat deformohet për të "prishur punë" si me Partizanin ose për të ndihmuar, siç përflitet ndeshja me Dinamon të shtunën. E vërtetë apo trillim? Duhet të besojmë një nga donatorët, që zakonisht flet pak, Agron Papulin, që publikisht thotë: "Ndaj Dinamos nuk do të jetë tërë ekipi. Por, kjo nuk do të thotë se ndeshjen e kemi dorëzuar". Një deklaratë e çuditshme sidomos kur e thotë donatori që shpesh është deklaruar si një zyrtar që merret me menaxhimin e ekipit dhe jo çështjet teknike. Në prag të ndeshjes me Partizanin flitej për "jetë a vdekje" për një ndeshje që nxitej edhe nga historia. Po kundër Dinamos, që do t‘i marrë titullin pikërisht Tiranës, pse nuk nxitet "derbi" nga historia? Edhe më të vjetrit nuk kujtojnë dot momente kur bardheblutë dhe blutë të përballen sikur janë në ditën e "Shën Valentinit"?!

Trajneri Mema nuk është nga ata që u prish planet donatorëve, prandaj edhe shprehet: "Kemi mungesa këtë të shtunë. Nuk do të jetë si me Partizanin". Edhe trajnerë të tjerë, në këtë fund kampionati, flasin pa frikë edhe pse cenojnë moralin e futbollit. Si e fituan këtë të drejtë, ata që gjatë sezonit janë pagëzuar "viktimat" e lojës? Në këto momente luajnë presidentët dhe trajnerët për hir të ekzistencës pranojnë edhe të shtirren… Gojët e këqija apo të mira qofshin, thonë se ndeshja e Partizanit në Kavajë nuk është aq përcaktuese sa duket. Lapsi i presidentit Sulaj ka qenë më i mprehtë se ai i presidentit Xhani dhe pse do të ndeshen bashkë në javën e fundit. Pikërisht në 90 minutëshin për të cilin edhe shefi i madh i futbollit nuk humbet rastin: "Do të jetë si një finale e madhe".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›