E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi: Nuk do të largohem nga Barcelona

Lionel Mesi konfirmon dëshirën për të qëndruar te Barcelona, duke hedhur poshtë spekulimet se argjentinasi mund të largohet nga "Kamp Nou" në rast të ndonjë oferte joshëse. E ardhmja e 21-vjeçarit ishte lidhur me Mançester Junajtid, menjëherë sapo drejtori teknik i katalanëve, Çiki Begirishtajn, kishte konfirmuar se në fund të sezonit do të ketë shumë ndryshime. Eliminimi nga Liga e Kampioneve vulosi sezonin e dytë radhazi pa asnjë trofe dhe drejtuesit e Barçës kanë përgatitur listën e largimeve, ku sipas tyre mund të ikte edhe Mesi. Por, argjentinasi ka këmbëngulur se nuk ka planifikuar të transferohet në ndonjë skuadër tjetër dhe se dëshiron të qëndrojë me "blaugranat", skuadër ku është rritur si futbollist, duke iu bashkangjitur emrave më të mëdhenj të futbollit botëror. "Nuk kam menduar asnjëherë të largohem nga Barcelona. Nuk e di se çfarë kanë ndërmend të bëjnë shokët e mi të skuadrës, por personalisht dëshiroj të qëndroj këtu", tha ai. Pothuajse të gjithë lojtarët e Barçës janë përfolur për transferime në skuadra të tjera, por gjasat janë që vetëm tetë prej tyre të largohen. Klubi pretendon ndryshime, por duhet të financojnë edhe një merkato të kushtueshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›