Venger, në pritje për Flamini e Hleb
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka bërë të qartë se pret një përgjigje nga Matië Flamini brenda dy ditëve të ardhshme. Kontrata e futbollistit 24-vjeçar është pranë fundit dhe mendohet se skuadrat italiane, si Milani dhe Juventusi, janë vënë në garë për të siguruar shërbimet e tij. Sipas trajnerit të "topçinjve", futbollisti mund të tërhiqet nga rroga më e lartë që ofrojnë ekipet italiane të interesuara për shërbimet e tij. "Mbaroi muaji prill dhe situata nuk është qartësuar ende. Jam i sigurt që do të marrim një përgjigje të lojtarit gjatë fundjavës. Unë vazhdoj të mendoj pozitivisht, pasi besoj se lidhja që ka me këtë klub do të mbizotërojë ndaj të gjitha ofertave tërheqëse që mund t‘i jenë bërë. Nëse bëhet fjalë vetëm për anën sportive, atëherë ai do të qëndrojë këtu. Nëse bëhet fjalë për futboll dhe anën financiare, ai mund të mos qëndrojë me ne gjatë sezonit të ardhshëm. Ai është i lirë të zgjedhë një drejtim tjetër, të gjithë janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre, në momentin kur u përfundon kontrata dhe duhet ta respektojmë një gjë të tillë", deklaroi Venger. Tekniku francez ka insistuar mbi faktin se ai nuk është kontaktuar ende nga asnjë klub rreth mesfushorit Aleksander Hleb, pavarësisht interesimit që ka shfaqur publikisht trajneri i Interit, Roberto Mançini. Gjithsesi, ai ka lënë të kuptohet që do të dëshironte që edhe mesfushori bjellorus të vazhdonte të qëndronte në radhët e "topçinjve" në sezonin e ardhshëm. Në fund, Venger ka ironizuar edhe me finalen e Ligës së Kampioneve, ku Çelsi do të përballet me Mançester Junajtid. "Është vetëm një finale e Kupës FA që zhvillohet jashtë Anglisë, ndaj do të jetë ndeshja numër 39 në interesin e njerëzve", deklaroi ai.