E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gatuzo: Merrni Tonin, jo Ronaldinjon

Xhenaro Gatuzo ka lëshuar një deklaratë bombastike, duke i këshilluar Milanit që mos të përqendrohet te Ronaldinjo për merkaton e verës, por të marrë Luka Tonin. Mesfushori brazilian është një prej lojtarëve që do të largohet nga Barcelona dhe kuqezinjtë cilësohen si kandidatët kryesorë për ta blerë. Gjithsesi, Gatuzo është shprehur kundër afrimit të brazilianit 28-vjeçar. "Ronaldinjo? Ne i kemi futbollistët me karakteristika të ngjashme", tha mesfushori energjik. "Në skuadër janë Pato, Kaka dhe nuk duhet harruar Sedorf. Për mendimin tim, Milanit i nevojitet një lloj tjetër futbollisti, nuk duhet të flasim rreth Ronaldinjos. Nëse ndonjë nga drejtuesit e klubit do më pyeste rreth asaj çfarë i duhet skuadrës, do t‘i këshilloja të merrnin Luka Tonin. Nuk kemi asnjë lojtar me karakteristikat e tij". Toni është protagonist i një sezoni të shkëlqyer me Bajernin e Mynihut, ku në të gjitha aktivitetet ka shënuar 36 gola me bavarezët.

Gatuzo ka folur edhe për derbin me Interin, që do të luhet të dielën. Kjo sfidë është deçizive për të dyja skuadrat: një fitore do t‘i jepte Milanit më shumë shanse për vendin e katërt (dhe hyrjen në Ligën e Kampioneve), ndërsa me 3 pikë zikaltërit do të shpalleshin matematikisht kampionë të Italisë. "Është eksperiencë mjaft e bukur të luash në ndeshje kaq deçizive", tha lojtari i kombëtares italiane për "Sky". "Këto janë sfida që të karikojnë me adrenalinë. Sigurisht që nuk mund ta humbasim derbin. Që prej 23 dhjetorit, Interi ka fituar vetëm 2 pikë më shumë se ne. Do të jetë një ndeshje e hapur, atyre u mungojnë shumë lojtarë të rëndësishëm, ndërsa ne jemi të vetëdijshëm se mund të luajmë për të fituar". Gatuzo ka folur edhe për shiritin e kapitenit, që pas tërheqjes së Paolo Maldinit rrezikon të shndërrohet në çështje te Milani. Sipas tij, lideri i skuadër duhet të jetë Masimo Ambrozini. "Do të ishte e drejtë që kapiteni i ardhshëm i Milanit të jetë Ambrozini, këtë ia kam thënë disa herë edhe drejtuesve të klubit", vazhdoi ai. "Gjëja më e mirë për t‘u bërë është që shiritin ta mbajë një lojtar i cili ka shumë vjet që luan me skuadrën dhe ai (Ambrozini) e plotëson këtë kusht". E ardhmja e "Rongios" te kampionët e botës ishte në dyshim, por tashmë lojtari duket se ka vendosur të qëndrojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›