Dinjo i dëmtuar, por kërcen deri në mëngjes
Ronaldinjo është i dëmtuar. Megjithatë, kjo nuk e frenon sulmuesin brazilian që të argëtohet dhe të kërcejë deri në orët e para të mëngjesit. Sipas agjencisë "Dpa", braziliani i Barcelonës ka kaluar një mbrëmje mjaft intensive ndërmjet të hënës dhe të martës. Ndërkohë që shokët e tij të skuadrës flinin, përpara se të zbrisnin në fushë për gjysmëfinalen e kthimit me Mançester Junajtid, Ronaldinjo ishte "i papërmbajtshëm" në pistën e diskotekës "Sandunguita" në Kasteldefels, një lokalitet pranë Barcelonës. Fantazisti ka qenë ylli i mbrëmjes, që ka filluar në orën 22:30 me një darkë në restorantin "Casanova Beach Club". Ngrënia nuk ka qenë aspak e "blinduar", pasi Ronaldinjo ka pritur me buzëqeshje dy tifoze të Barçës dhe një burrë me të bijën. Lojtari është larguar rreth orës 01:15, për të shkuar në diskotekën e lartpërmendur, ku si çdo të hënë ishte e programuar një festë braziliane. Në fakt, mësohet se Ronaldinjo është një klient i rregullt i "Sandunguitas". Puthje dhe përqafime përpara një birre: më pas filluan kërcimet e të gjitha rrymave. Dëmtimi në muskujt e barkut i dha fund sezonit me "blaugranat", por nuk e ka penguar të argëtohet deri në orën pesë.