Aeroporti i Gjirokastrës, drejtuesit e Aviacionit Civil inspektojnë pistën
Tiranë - Drejtuesit më të lartë të Aviacionit Civil në Shqipëri inspektuan dje në Gjirokastër aeroportin e qytetit, i cili prej vitit 1997 është tërësisht jashtë funksionit, dhe u takuan me përfaqësuesit e pushtetit vendor për riaktivizimin e tij si një aeroport rajonal. “Kërkesat nga pushteti vendor për të riaktivizuar këtë aeroport kanë qenë të shumta dhe synimi ynë është që ai të ketë përmasat e një aeroporti rajonal, i cili të shërbejë për të gjithë llojet e transporteve, natyrisht duke bërë dhe zgjerimin e pistës”, - tha drejtori i përgjithshëm i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku. Pas një investimi prej 100 mijë eurosh disa vite më parë nga Delegacioni Italian i Ekspertëve (DIE), që shërbeu për rikonstruksionin e godinës së stacionit, montimin e kullës së fluturimit, si dhe dy stacioneve meteorologjike, pjesa tjetër e hapave të hedhura kanë të bëjnë me studimin e fizibilitetit, shpalljen e zonës aeroportuale si “zonë të mbrojtur”, si dhe hartimin e preventivit të ndërhyrjeve rikuperuese. Drejtuesit e Aviacionit Civil kanë kërkuar t’u jepet fund ndërtimeve abuzive brenda zonës së mbrojtur dhe theksojnë se pushteti vendor duhet të gjejë investues për këtë aeroport, vendas apo të huaj. Aeroporti ka një pistë me gjatësi 1250 m dhe gjerësi 100 m, si dhe mjedise për parkimin e avionëve me përmasa 300 m gjatësi dhe 80 m gjerësi, në tërësi një sipërfaqe 10 mijë m2 të zonës ku ndodhen godinat e aeroportit.
28 Janar 2009