E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i jep statusin e nëpunësit civil administratës së Burgjeve



Laureta Rryçi

Tiranë - Falë vendimit të qeverisë, të gjithë punonjësit burgjeve do të përfitojnë Statusin e Nëpunësit Civil. Këshilli i Ministrave miratoi dje propozimin e ardhur nga Ministria e Drejtësisë për ndryshimin e statusit të punonjësve të administratës së burgjeve. Ky propozim u hodh fillimisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe më pas u formatizua si projektligj nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas vendimit, nëpunësit e administratës civile të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët nuk bëjnë pjesë në strukturat e Policisë së Burgjeve, gëzojnë Statusin e Nëpunësit Civil sipas legjislacionit në fuqi dhe janë pjesë e Shërbimit Civil. Marrëdhëniet juridike të punës për punonjësit mbështetës të administratës civile në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe për punonjësit e administratës civile në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës. Ndërsa për Policinë e Burgjeve është përcaktuar që ka për mision ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale gjatë transferimeve e shoqërimeve të të dënuarve ose të të paraburgosurve në gjykata e institucione të tjera, në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
Puna dhe pushimi
Koha e punës dhe e pushimit për punonjësit e Policisë së Burgjeve do të njësohet me atë të punonjësve të tjerë të administratës publike, përveçse kur parashikohet ndryshe në projektligjin e ri. Pushimi vjetor i pagueshëm për punonjësit e Policisë së Burgjeve është 30 deri në 45 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas roleve dhe gradave. Kur për arsye pune e shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më vonë se në muajin mars të vitit pasardhës, në të kundërt bëhet kompensimi në vlerë, sikurse edhe për orët shtesë të punës dhe të shërbimit. Në rast fatkeqësie familjare, martese apo në raste të tjera të veçanta, punonjësit të Policisë se Burgjeve i jepet deri në 7 ditë leje e pagueshme ose deri në 1 muaj leje pa të drejtë pagese. Periudha e lejes pa të drejtë pagese nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekte të ecurisë në karrierë.
Rregullimi i pagave
Paga e punonjësit të Policisë se Burgjeve caktohet sipas gradës dhe funksionit. Ajo përbëhet nga paga bazë, që është paga për gradë dhe nga shtesat mbi pagën bazë për kushte të tjera të veçanta të vendit të punës e të shërbimit. Punonjësit e Policisë se Burgjeve përfitojnë çdo fundvit financiar sipas vlerësimit të punës, një shpërblim deri në një pagë mujore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjesëtueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer nga punonjësi gjatë vitit financiar. Rregullat për funksionimin e skemës së pagave të punonjësve të Policisë së Burgjeve, miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Këshilli i Ministrave rivlerëson pagat e punonjësve të Policisë

Tiranë - Qeveria ka shfuqizuar vendimin e katër viteve më parë për trajtimin e një pjese të punonjësve të Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve e të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Në vendimin e djeshëm marrë në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave thuhet se “Lidhja nr. 1, për ‘struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit’, e përmendur në pikën 1, të vendimit nr. 1135, datë 5.8.2008, të Këshillit të Ministrave, të zëvendësohet me lidhjen, me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”. Ndërsa më pas thuhet se “shfuqizohet pika 1 e vendimit nr. 883, datë 22.12.2004, i Këshillit të Ministrave, ‘për trajtimin e një pjese të punonjësve të Drejtorisë së Krimit të organizuar dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve e të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë”.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›