Unaza e Madhe, Bashkia projekt më vete për banorët që do t’u prishen shtëpitë
Emanuela Sako
Banorët e Tiranës do të marrin shpërblimin për prishjen e objekteve të biznesit apo shtëpive, që do të preken nga zbatimi i projektit për Unazën e Madhe. Nga kjo nismë nuk bëjnë përjashtim as ata qytetarë që nuk posedojnë dokumentet e legalizimit për pronën e tyre. Por mënyrat se si do të veprojë Bashkia për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve nuk janë ende të qarta. Deri tani dihet që për të gjithë qytetarët që kanë dokumente të rregullta do të kryhen procedurat e shpronësimit, ku një pjesë e tyre do të trajtohen me bonus strehimi, ndërsa alternativat e tjera nuk janë bërë ende publike. Burime nga Njësia Bashkiake Nr. 5, së cilës i përket pjesa kryesore e shtrirjes së projektit, bëjnë të ditur se janë rreth 200 pronarë që kanë dokumente të rregullta por që do t’iu prishen shtëpitë. Ndërsa, sipas disa të dhënave të përafërta, do të jenë rreth 3000 objekte që do të shkatërrohen për t’i hapur rrugë projektit të madh të Bashkisë së Tiranës. Duket se Bashkia tashmë ka detajuar edhe mënyrën e procedimit për të gjithë qytetarët që do t’iu prishen objektet.
Banorët
Banorët e kësaj zone janë konfuzë për mënyrën e zhvillimit të procesit të shpronësimit apo mënyrat e tjera për kompensimin e pronës. Kjo vjen pasi ata nuk janë të qartë se si do të procedohet dhe nuk njohin afatet e marrjes së ndihmës për prishjen e ndërtesave. Megjithëse procesi për ndërtimin e objektit i takon Bashkisë së Tiranës, Bankës Botërore etj, qytetarët drejtohen në Njësinë Bashkiake për të marrë më tepër informacion nëse do të preken nga prishja e ndërtimeve. Nga ana tjetër, specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë bërë piketimet përkatëse në vendet ku do të kalojë rruga. Pjesa më e madhe e qytetarëve janë lajmëruar se objekti i tyre do të prishet. Kështu, të gjithë banorët e zonës, me ose pa dokumente, duhet të gjejnë një zgjidhje tjetër për të siguruar strehimin e familjeve të tyre para se të fillojë procesi i ndërtimit të rrugës. Zona e shpronësimeve do të jetë nga fillimi i Shkollës Teknologjike, që është pjesa e Unazës së Madhe, deri te Rruga e Elbasanit. Në këtë itinerar, që do të përshkojë rruga për ndërtimin e Unazës së Madhe, ka mjaft banorë që nuk gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe që shtëpitë e tyre do t’i nënshtrohen shkatërrimit. Projekti është financuar dhe hartuar nga Bashkia e Tiranës, ndërsa donatore është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Projekti
Tashmë pritet vetëm fillimi i punës për zbatimin e projektit, pasi të gjitha çështjet teknike kanë përfunduar. Ndërtimi i Unazës së Madhe është cilësuar si një nga projektet më të mëdha që hap rrugë për zhvillim më të madh urban, për ulje të trafikut, qarkullim më të shpejtë, sinjalistikë brenda standardeve etj.
Projekti përfshin ndërtimin e Unazës nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi.
Puna për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Shalsi, zbulon detajet e projektit të Bashkisë që do të zgjidhte një hallkë të madhe për qarkullimin e automjeteve në kryeqytet. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si në Komunën e Parisit dhe në Rrugën e Elbasanit. Është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe.
28 Janar 2009