E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kambistët e palicencuar, dy procedohen penalisht



Korçë – Dy kambistë në qytetin e Korçës janë kapur dje në flagrancë nga forcat e policisë pasi po ushtronin aktivitetin e palicencuar të valutës. Burime policore thanë se ka filluar procedimi penal në ngarkim të Bashkim Hanit, 64 vjeç, lindur e banues në Lagjen 13, në Korçë. Sipas policisë, ky person është kapur në flagrancë në vendin e quajtur “Tregu i valutës”, duke këmbyer valutë i pa palicencuar. Po dje, Policia e Korçës ka dërguar dosjen në prokurori edhe për Servet Mukën, 52 vjeç. Hetimi është bërë nga seksioni i Luftës Kundër Pastrimit të Parave.

Mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i peshkatarit

Shkodër - Ka mbërritur në Shqipëri, përmes pikës kufitare të Murriqanit, trupi i pajetë i peshkatarit Jani Golaj, i cili u mbyt pak ditë më parë në ujërat e Kroacisë, pas defektit që pësoi gomonia me të cilën kishte dalë për peshkim bashkë më vëllanë e tij dhe një tjetër peshkatar. Burime nga policia kanë bërë të ditur se trupi i pajetë u prit nga 14 familjarë në Murriqan, ndërkohë që shoqërohej edhe nga mjeku ligjor që asistoi në procedurat për tërheqjen e trupit nga morgu i Dubrovnikut. Autoritetet kroate vazhdojnë kërkimet për vëllanë tjetër Sotir Golaj, i cili rezulton i humbur që prej 17 janarit. Fatmirësisht nga kjo tragjedi shpëtoi gjallë Romeo Pulisio, bashkëshortja e të cilit vuri në lëvizje për humbjen e gomones autoritetet e kapitenerisë në Vlorë. Gomonia e nisur nga Vlora të dielën e kaluar u gjet në ujërat e Kroacisë, pas 7 ditësh qëndrim në det të hapur.

Vjedh 1.5 milionë lekë në një banesë, arrestohet

Milot – Është realizuar nga forcat e policisë së rrethit të Kurbinit arrestimi në flagrancë i shtetasit Gëzim Kasemi, lindur në Gramëz të Krujës dhe banues në Milot, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u bë se ky shtetas ka vjedhur në një banesë private në qytetin e Milotit një sasi bizhuterish si dhe një sasi prej 1,5 milionë lekësh të vjetër, që i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu i janë sekuestruar në cilësinë e provës edhe një kapuç leshi i zi, një kapuç sintetik, një palë doreza material leshi me ngjyrë të zezë si dhe një palë dara hekuri. Materialet në ngarkim të shtetasit Gëzim Kasemi do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Kurbin për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›