E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu përmbyt rrugët e Fierit dhe të Durrësit



Tiranë - Reshjet e shiut që filluan të bien që në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë përmbytur pjesën më të madhe të rrugëve të qytetit të Tiranës, Fierit dhe Durrësit. Probleme ka pasur edhe në disa rrethe të tjera. Ulja e temperaturave ka sjellë reshje dëbore në veri të vendit, ku zona e Shishtavecit ndodhet e bllokuar.
Situata në Fier e Durrës
Në Fier reshjet e rëna kanë përmbytur dhe kanë bërë të pa kalueshme disa rrugë në lagjen “8 Shkurti”, pranë QTU-së, para godinës së Bashkisë dhe Këshillit të Qarkut. Sipas informacioneve të mara në Bashkinë e qytetit mësohet se reshjet kanë rritur prurjet në lumin Gjanicë, Seman dhe Vjosë por jo në atë masë sa të paraqesin rrezik për banorët. Nga ana tjetër edhe shtabi i emergjencës që ndodhet pranë institucionit të prefekturës qarkut pohon se është duke mbajtur situatën nën kontroll dhe deri tani nuk ka pasur asnjë rrezik përmbytje si në toka ashtu edhe në banesa. Në zonën fushore ka pasur grumbullime ujërash sipërfaqësore në toka të mbjella me grurë por pas rrallimit të reshjeve kanë qenë vetë banorët që kanë ndërhyrë duke hapur kokat e vijave kulluese duke bërë që të largohen këto ujëra, ndërkohë që hidrovoret kanë punuar dhe nuk kanë pasur mungesë të energjisë elektrike. Shiu ka krijuar vështirësi në disa nga kryqëzimet kryesore të qytetit të Durrësit. Më e rënduar situata paraqitet në zonat periferike më konkretisht rrugët e Shkozetit, Plazhit dhe Spitallës. Shkak për këtë është bërë sidomos amortizimi dhe dëmtimi i sistemit të kanalizimeve të cilat në çdo kohë shirash shkakton herë pas here grumbullimin e ujërave në rrugë. Reshjet e shumta të shiut bënë të pamundur vazhdimin e punës në Portin e Durrësit, duke penguar përpunimin e anijeve tregtare.
“Irfan Tomini” mes ujit
Shirat e rrëmbyeshëm të rënë gjatë këtyre ditëve kanë shkaktuar vështirësi edhe në rrugët e Tiranës. Qindra banorë në bllokun e pallateve në rrugën “Irfan Tomini” e kanë pasur të vështirë të dalin nga apartamentet e tyre për shkak të bllokimit të pusetave të ujërave kulluese dhe ujërave të zeza. Hyrjet e pallateve janë mbuluar nga mbi 30 cm ujë dhe fëmijët e të moshuarit nuk kanë mundur të dalin nga shtëpitë e tyre. Kjo lagje vuan nga kjo situatë gjithmonë në kohë me shi duke u përmbytur në mënyrë të tillë, por ende autoritet lokale nuk kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën. Gjendja bëhet akoma më e vështirë, pasi uji i shiut bashkohet me ujërat e zeza duke rrezikuar përhapjen e epidemive. Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe nesër, ndërkohë që priten ulje të temperaturave me 2 deri në 3 gradë celsius.

Të rinjtë shkatërrojnë ashensorin, pronari i qendrës tregtare i denoncon

Korçë - Katër të rinj janë vënë nën hetim në gjendje të lirë, pasi kanë shkatërruar derën e ashensorit të një kompleksi. Burime zyrtare nga Policia e Korçës thanë për gazetën se E. F., 16 vjeç, Dh. J., 17 vjeç, Roxhers Fejzulla 18 vjeç dhe Jorgo Xhamaqi 18 vjeç, rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, në vendin e quajtur “City Center”, pasi ngelën në katin e gjashtë në ashensor kanë ushtruar forcë fizike në dyert e brendshme të kabinës së ashensorit dhe e kanë dëmtuar atë për të dalë jashtë. Lidhur me këto dëmtime administratori i “City Center” ka bërë kallëzim për dëmin e shkaktuar në ashensor nga të rinjtë. Policia ka nisur hetimet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës”, në ngarkim të katër të dyshuarve, të cilët do të ndiqen në gjendje të lirë.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›