Kadare rikthehet pas 50 vjetësh në Moskë
Ismail Kadare rikthehet në Moskë plot gjysmë shekulli më vonë. Prej kohës së studimeve për kursin e lartë në institutin “Gorki” (1958-1960), shkrimtari i njohur shqiptar nuk kishte gjetur rast për një vizitë të dytë. Një film dokumentar që “Top Channel” po realizon për jetën dhe veprën e tij, ka qenë një arsye më se e mjaftueshme që Kadare të kthehej jo vetëm në Moskë, por t’u kthehej edhe kujtimeve të tij të 50 viteve më parë. Regjisori Piro Milkani, i cili prej disa muajsh ka nisur të punojë me filmin dokumentar së bashku me grupin e xhirimit, po fiksojnë vende dhe kujtime që i përkasin kohës së rinisë së shkrimtarit. Kadare ka udhëtuar nga Franca drejt Moskës, ku ka mbërritur mbrëmjen e së martës. Ndërkaq, rikthimi pas shumë vjetësh, ndonëse i nxitur nga një dokumentar, nuk ka kaluar në heshtje në kryeqytetin rus. Moska, stacioni i dytë i shkrimtarit, për sa i përket veprës së tij, ka qenë e nxehtë këto ditë. Kadare ka shkelur edhe njëherë rrugët që bënte çdo mëngjes për të shkuar në institutin “Gorki”, emër të cilin kjo godinë e mori pas vdekjes së shkrimtarit të njohur rus, Maksim Gorki. Për koincidencë, Kadare ka lindur atë vit. Me kamerën që herë i paraprinte dhe herë e ndiqte pas, Kadare ka përshkuar rrugën “Gorki”, në kërkim të gjurmëve të studentit 22-vjeçar. Janë po ato rrugë e godina që shkrimtari i përshkruan në detaje në librin autobiografik “Muzgu i perëndive të stepës”. Një ndalesë në monumentin e Pushkinit dhe një intervistë e gjatë ajo ato që regjisori Milkani shkëputi për filmin dokumentar që po realizohet nga “Top Channel”. Më parë, grupi i xhirimit ka fiksuar në teatrin “Oviede” të Spanjës momentet e ceremonisë madhështore të çmimit “Princi i Asturias”, që iu akordua Kadaresë për letërsinë. Detajet që vijnë nga Moska, tregojnë për një ditë mbushur plot aktivitete për shkrimtarin. Në këtë rikthim pas gjysmë shekulli, një vizitë në institutin “Gorki” nuk mund të mungonte. Teksa ka hyrë në oborr, ka vizituar sallat e leksioneve ku studioi për dy vjet pas kryerjes së Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë në Tiranë e ka parë sallat e provimeve. Kadare është shprehur se pas kaq shumë vitesh ka gjetur po të njëjtin institutit, po të njëjtën godinë të pamodifikuar. Në po të njëjtën godinë, Kadare ka gjetur sërish fotografinë e tij, rreshtuar mes studentëve më të mirë që instituti “Gorki” ka pasur ndër vite. Dy takime njëri pas tjetrit e kanë shtyrë Kadarenë të tregojë për kujtimet që ruan edhe sot nga koha kur ishte një djalë 22-vjeçar që mëtonte të ishte shkrimtar. Në një takim në zyrën e rektorit të institutit (deri në vitet ’90 nën administrimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, sot pjesë e Ministrisë së Arsimit) dhe në një bisedë miqësore zhvilluar herë rusisht e herë frëngjisht, shkrimtari i njohur ka folur për shokët e kursit, për pedagogët e asaj kohe dhe ka treguar detaje të tjera që u përkasin shumë viteve më parë. Ndërkohë, i ftuar në ceremoninë zyrtare të diplomimit të studentëve, Kadaresë i është dashur të rrëfejë përsëdyti përjetimet e tij në institutin “Gorki”. Shkrimtari ka treguar për studentët se çfarë përfaqësonte kjo shkollë për të pas kaq shumë vitesh, ka kujtuar shokët e tij të kursit që vinin nga vende të ndryshme, ka sjellë në vëmendje studentët e “çuditshëm”, ish-kryeministra, ish-deputetë apo gjeneralë që vinin në këtë institut për t’u bërë shkrimtarë. “Kur shkova në Moskë, e dija tashmë që isha një shkrimtar. Kisha publikuar përmbledhje me poezi që patën një sukses të madh. Në Moskë e kuptova shumë shpejt se nuk dija më shumë për letërsinë se sa profesorët e mi”, ka thënë më parë në një intervistë shkrimtari i njohur, teksa fliste për vetëdijen e të qenit shkrimtar. Në përfundim, një stendë e improvizuar ka shërbyer për të nënshkruar libra. Kadare ka firmosur “Pasardhësin” dhe “Vajza e Agamemnonit”, botuar rusisht katër muaj më parë nga “Onufri”, libra që botuesi i tij, Bujar Hudhri, i kishte marrë me vete në Moskë, e njëkohësisht shkrimtari ka nënshkruar botime të tij në rusisht, botuar në këtë vend. Duke lënë pas institutin “Gorki”, Kadare do të udhëtojë në një tjetër vend sot. Grupi i xhirimit do të shkojë të fiksojë rikthimin e tij pas 50 vitesh në fshatin e shkrimtarëve, në atë vend ku djaloshi 22-vjeçar vinte të dielave të takonte Boris Pastërnakun, apo shkrimtarë të njohur të asaj kohe, personazhe të romanit të tij autobiografik, i përkthyer në disa gjuhë të huaja. Edhe dita e sotme do të jetë e mbushur plot kujtime për shkrimtarin, ndërkohë që pasditja i ka rezervuar një takim zyrtar me zv\ministren e Kulturës. E premtja shënon ditën e fundit në Moskë. Sërish me avion Ismail Kadare do të kthehet në Francë, për të marrë me vete edhe kujtimet e një rikthimi pas gjysmë shekulli në kryeqytetin rus.
#