Aeroporti i Tiranës prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Berlinit
Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” do të prezantohet para një publiku botëror në panairin më të rëndësishëm europian të industrisë së udhëtimeve për të dytin vit radhazi në Berlin të Gjermanisë. Aeroporti është i përfshirë në një fushatë aktive për të promovuar zhvillimin e Shqipërisë, në kuadër të së cilës është edhe pjesëmarrja në këtë eveniment. Në datat 5–9 mars 2008, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) do të prezantojë arritjet e veta dhe potencialet për rritje në Panairin Ndërkombëtar të Berlinit. Në këtë veprimtari ndërkombëtare, TIA ka gjetur një mjet të vlefshëm për promovimin e potencialeve të veta dhe për tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare drejt Shqipërisë. Sipas TIA-s, viti 2007 ishte një vit tejet i suksesshëm për aeroportin në terma të numrit të pasagjerëve, të mallrave të përpunuara dhe lëvizjeve të trafikut ajror. Gjatë këtij viti përfunduan gjithashtu disa investime infrastrukturore të rëndësishme, ndër të cilët me një vlerë të veçantë ishte terminali i ri i pasagjerëve. Aktualisht, 14 linja ajrore ofrojnë fluturimet e veta drejt dhe prej TIA-s, duke lidhur kryeqytetin shqiptar me 29 vendmbërritje të ndryshme.
Fondi i kredive për eksportet, përfitojnë dy kompanitë e para
Projekti "Fondi i garantimit të kredive për eksport", i nisur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka hyrë në rrugën e zbatimit të tij. Sipas "Albinvest"-it, deri tani për këtë fond kanë aplikuar 10 kompani shqiptare eksportuese, të interesuara për të marrë kredi afatshkurtra, duke u mbështetur me kolateral nga ky Fond. Komisioni i Vlerësimit ka miratuar garancitë për 2 kompani, me një vlerë prej 9 milionë lekësh, ndërsa kanë përfunduar analizën edhe për 7 kompanitë e para, me një vlerë të llogaritur prej 56 milionë lekë. Sipas "Albinvest"-it, rezulton se 72 për qind të aplikimeve e zënë bizneset në Tiranë dhe nga 14 për qind ato në Shkodër dhe Lushnjë. Struktura e aktiviteteve që zhvillojnë bizneset eksportuese janë në përpunim metalesh, grumbullim bimësh mjekësore, përpunim druri, kultivim të bimëve “BIO” dhe prodhim këpucësh.
Sipas këtyre burimeve, ky fond, që do të vazhdojë për 6 vjet, është pjesë e garancive shtetërore në ndihmë të eksportuesve, me kufi maksimal për vitin 2008 prej 200 milionë lekësh.
Rikonstruksioni i BSH-së, zgjidhet kompania fituese e konkursit
Banka e Shqipërisë vendosi me procedurë të veçantë organizimin e një konkursi ndërkombëtar për përzgjedhjen e projektidesë më të mirë, që do t’i japë zgjidhje një sërë kërkesave funksionale, teknike, teknologjike etj., të cilat do të përballojnë zgjerimin e strukturës së BSH-së, si dhe rritjen e performancës nga ana e personelit të bankës. Një firmë e drejtuar nga një arkitekt italian është përzgjedhur si fituesja e tenderit ndërkombëtar për projektidenë e rikonstruksionit të godinës së BSh-së, në një kohë që pas këtij do të caktohet po me një tender të njëjtë edhe firma që do të realizojë punimet për rikonstruksionin e ndërtesës të ndërtuar nga italianët gati 80 vite më parë. Kompleksi i ri, që do të ndërtohet së bashku me rikonstruksionin e ndërtesës ekzistuese, pritet të kapë një shumë prej 12 milionë eurosh, do të jetë në përputhje me studimin e aprovuar të qendrës së Tiranës dhe do të mundësojë akomodimin e një personeli prej 400 personash, në përputhje me standardet që kërkohen. Ndër kërkesat e veçanta që duhet të kishin parasysh projektuesit u theksuan ato që kanë të bëjnë me respektimin e vlerave arkitektonike që paraqet kjo ndërtesë, e cila daton rreth viteve ‘30 të shekullit XX, duke përbërë një vepër të spikatur në stilin e kohës dhe me një vend të rëndësishëm në objektet e qytetit të Tiranës. Gjithashtu, u kërkua parashikimi i ambienteve që ndihmojnë Bankën e Shqipërisë në veprimtarinë e saj, të tilla si muzeu numizmatik, salla e mbledhjeve me kapacitet prej 150 vetash, biblioteka, e cila parashikohet të ketë edhe funksion publik, ambientet e arkivës, parkimin e automjeteve për rreth 200 vende, si dhe ambiente të tjera social–ekonomike.
KESH-i paraqet analizën 1-vjeçare të punës
KESH-i ka publikuar dje analizën e punës 1-vjeçare të korporatës. Drejtuesit e korporatës kanë vlerësuar pozitivisht të gjithë punën që ka bërë grupi i institucionit që ai drejton. Gjithashtu, gjatë këtij publikimi nuk janë lënë pa u përmendur edhe problemet e krizës energjetike që pësoi vendi vitin e kaluar. Kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, përmendi si arritje rritjen e arkëtimeve dhe eliminimin e abuzimeve me rrjetin. Nga raporti u bë e ditur se gjatë vitit që lamë pas KESH-i intensifikoi kontrollet tek abonentët, duke eliminuar kështu një pjesë të mirë të abuzimeve. Si pasojë janë bërë 667 mijë prerje të paligjshme në rrjet, ndërkohë që janë ndëshkuar jo vetëm klientët e korporatës, por edhe punonjësit e saj. Rreth 15 për qind e tyre janë pushuar nga puna për shkak të abuzimeve, ndërsa për 407 raste janë bërë kallëzime penale.
1 Mars 2008