MBUMK: “Monopolet mafioze rritën çmimin e bukës”
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, përmes një deklarate për shtyp, bëri të ditur se "segmentet mafioze në tregun e miellit dhe drithërave, pasi ndikuan vetëm për një javë ta pështjellonin situatën me rritje artificiale çmimesh, morën përgjigjen nga rregullat e tregut”. Sipas kësaj deklarate, "është bërë i njohur tashmë fakti se prej mëse një viti janë rritur gradualisht çmimet e drithërave të bukës në tregjet ndërkombëtare. Rritja e çmimeve të drithërave ka prekur pothuaj gjithë botën". Qeveria shqiptare e ka ndjekur, vëzhguar e monitoruar në vazhdimësi këtë fenomen. Dhe sot konstatohet një përfundim i verifikuar se në Shqipëri nuk është shqetësimi i parë rritja e çmimit të grurit, por financimi e sponsorizimi i panikut të bukës e të çmimeve në përgjithësi”. Në deklaratë thuhet se "vendi ynë, zyrtarisht në bazë të statistikave nuk ka njohur deri më sot, që nga vjeshta e vitit 2007, rritje të çmimit të drithërave nga importi. Ndërsa blerja e grurit për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2007, sipas të dhënave të publikuara dje nga ACIT, rezulton e tillë: Janë blerë gjithsej 292.283 tonë me çmim 258 dollarë për ton. Fushata e sponsorizuar për rritjen artificiale të çmimit të bukës nuk qe jetëgjatë. Falsifikimi doli në dritë të diellit dhe shteti do të merret me panik-mbjellësit”. Burimet zyrtare në dogana deklarojnë se nga nëntori 2007 nuk ka importuar kush grurë me çmim më të rritur dhe referencat për grurin në dogana janë si më parë. Nisur nga koniunkturat e tregut të drithërave edhe fermerët tanë në këtë vjeshtë e kanë shtuar sipërfaqen e mbjellë me grurë në masën 15 për qind. "Paniku i përhapur dhe i sponsorizuar nga mafia e miellit, përpiqet të krijojë kaos në treg. Pazaret e segmenteve mafioze të miellit e bukës ia arritën që të krijojnë pështjellim për rreth dy javë, por përsëri u kthye normaliteti", - përfundon deklarata e Ministrisë së Bujqësisë.
1 Mars 2008