INSTAT-i, në janar ’08 eksportet 7 464 milionë lekë
Në muajin janar të vitit 2008 u eksportuan mallra me vlerë 7 464 milionë lekë, me një rritje 11.9 për qind në krahasim me muajin dhjetor të 2007-s dhe me një rritje me 11.6 për qind në krahasim me muajin janar 2007. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, gjatë muajit janar u importuan 29 315 milionë lekë mallra me një rritje 20.6 për qind në krahasim me muajin janar të 2007-s. Ndërsa importet shënuan rënie prej 15.4 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2007. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se deficiti tregtar i këtij muaji është 21.851 milionë lekë, duke shënuar një rënie prej 21.9 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 24 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Tregtia me vendet e BE-së zuri 65.3 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 83.4 për qind dhe importi 44.2 për qind, kurse me Greqinë eksporti është 9.6 për qind dhe importi 27 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: Italia, Gjermania, Austria, Kroacia, Zvicra etj. Sipas INSTAT-it, krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon që eksporti i grupit "Materiale ndërtimi dhe metale" u rrit 33 për qind, "Tekstile dhe këpucë" u rrit 17.3 për qind, etj. Ndërsa eksporti i grupit "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" u ul 19.6 për qind, "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" u ul 10.6 për qind, etj. Në muajin janar 2008, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 2 528 milionë lekë, duke zënë 8.6 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me janarin 2007, importi i mallrave me akcizë ka patur rritje prej 1.1 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës duke arritur në 84.3 për qind. Në bazë të të dhënave, kontributin më të lartë në këtë rritje e kanë dhënë eksporti i mineraleve e lëndëve djegëse me rreth 13 pikë përqindje dhe eksporti i tekstileve e veshjeve të këmbëve me rreth 6 pikë përqindje. Rritja e importit të produkteve ushqimore, pijeve e duhanit kontribuon në rritjen totale të importeve me vetëm 2 pikë përqindje. Sipas të dhënave, një pjesë e konsiderueshme e rritjes së importeve, rreth 6 pikë përqindje, ka ardhur prej shtimit të importeve të energjisë elektrike e lëndëve djegëse. Importi i energjisë elektrike në vlerë është rritur 4 herë.
1 Mars 2008