E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: “Kur jepni vendimet, mos u nisni pas emrave”

Laureta Rryçi

“Maratona për Drejtësi” dje ka zbarkuar në qytetin e Durrësit. Ashtu si edhe në çdo analizë të mëparshme, numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka lëshuar akuzat e radhës mbi gjyqtarët e Durrësit, Elbasanit dhe të Kavajës që ishin të pranishëm. Sipas Spahiut, kjo nismë synon të përmirësojë integritetin e vetë gjyqtarit në dhënien e vendimeve, duke mos harruar se ligji është i barabartë për të gjithë dhe asnjë gjyqtar në punën e tij nuk duhet të japë vendime që jepen nisur nga emrat. Në mesazhin e tij, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, u shpreh se Këshilli synon dhe kërkon forcimin e autoritetit të pushtetit gjyqësor, i cili lidhet me performancën profesionale gjatë zhvillimit të gjykimeve, duke pasur parasysh se Drejtësia nuk duhet vetëm të jepet, por edhe të duket si e tillë. Në të njëjtën kohë, Spahiu u ka dhënë dhe premtime këtyre gjyqtarëve duke mos harruar problematikën e punës së përditshme që ata kanë.
Kritikat
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, - theksoi z. Spahiu, - nuk mund të lejojë aplikimin e dy standardeve në Gjyqësor. Nga njëra anë, prezumohet arritja e standardeve të larta profesionale të vendimeve gjyqësore në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, standarde këto që duhet të justifikojnë angazhimin që shteti shqiptar ka marrë në kuadër të përfshirjes në Këshillin e Europës që përpara 12 vjetësh. Investimi që shteti bën për rritjen e kualifikimit juridik të gjyqtarëve, nëpërmjet trajnimeve në Shkollën e Magjistraturës apo programeve nga partneritetet ndërkombëtare, i shërben pikërisht forcimit të standardeve profesionale me riskun që nëse vendimet e gjykatave shqiptare nuk gjenden në pajtim me frymën e Gjykatës së Strasburgut, shtetit shqiptar i faturohet përgjegjësi e madhe financiare. Ndërsa nga ana tjetër i njëjti gjyqësor, të cilit i besohet një përgjegjësi e tillë, nuk mund të reflektojë standarde jashtë këtij kuadri dhe të rezultojë deficitar në përmbushjen e detyrimeve bazike siç janë disiplina në punë apo etika gjyqësore.
Problemet e etikës gjyqësore dhe respektimit të disiplinës në punë, - tha zëvendëskryetari Spahiu, - nuk janë një fenomen i kohëve të fundit, por janë evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga ankesat dhe studimet e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe vetë Këshilli ka qenë vazhdimisht i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje aq sa në nëntor të vitit 2006 ka konkluduar me vendim specifik për disiplinën dhe etikën në punë të gjyqtarëve. Vendimi mbi kryerjen e një inspektimi tematik nga ana e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka qenë domosdoshmëri e këtyre konstatimeve dhe Gjyqësori nuk ka pse të ndihet nën presion. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka për qëllim mbrojtjen e sistemit gjyqësor, qw nuk duhet parë absolute dhe e shkëputur nga përgjegjësia e Gjyqësorit për ta merituar atë.
Premtimet
Këshilli i Lartë i Drejtësisë u ka ofruar gjatë takimit të djeshëm dy garanci gjyqtarëve të pranishëm. Së pari, konsideron vështirësitë e punës që nuk janë të njëjta në çdo gjykatë si p.sh ngarkesa e madhe e çështjeve për përballimin e fluksit në kushtet e zgjerimit të numrit të popullsisë, seksioni për gjykimin e çështjeve penale të të miturve, në Gjykatën e Durrësit, i cili mbulon të gjitha çështjet e tilla që shtrihen në juridiksionin e Apelit, problemet e vazhdueshme me delegimet në gjykata të tjera, të cilat vështirësojnë normalitetin e punës.
Së dyti, zëvendëskryetari i Këshilli të Lartë të Drejtësisë, Spahiu, garantoi transparencë dhe profesionalizëm të dyanshëm, duke evidentuar se Inspektorati pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të reflektojë po aq standarde të larta etike dhe profesionale në marrëdhënie me Gjyqësorin. Inspektimi i gjyqtarit i referohet punës së tij, por nuk prek respektin ndaj personit. Garancitë për një kontroll të Gjyqësorit me standarde të larta profesionale fillojnë nga emërimi me unanimitet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë të kryeinspektores pranë këtij Këshilli, e cila reflekton parametrat e gjyqtares së karrierës dhe është garanci për respektimin e ligjit deri në detaje, gjatë gjithë procesit të punës së inspektoratit.

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›