PS-ja gati projektligji për dhunën në familje
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deklaroi dje se PS-ja ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë një projektligj të ri, i cili lidhet me fenomenin e dhunës në familje. Leskaj tha se hartimi i këtij projektligji është domosdoshmëri për shkak se, sipas statistikave, Shqipëria rezulton si një ndër shtetet me përqindjen më të lartë të dhunës në familje. “Propozimi i bërë nga grupi parlamentar i PS-së, për disa ndryshime dhe shtesa në kodin penal dhe në ligjin që ka të bëjë me masat e dhunës në familje, ka si qëllim që të parandalojë shkaqet që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me këtë fenomen, i cili kohët e fundit po kthehet në një problem tepër shqetësues", - deklaroi kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Leskaj kërkoi që "shteti të marrë masa të menjëhershme, në mënyrë të veçantë lidhur me shërbimet që duhet të ofrojë sidomos për fëmijët dhe gratë e zonave rurale, për të eliminuar sa më shumë të jetë e mundur këtë gangrenë që dita-ditës po shtohet duke kapur shifra alarmante".
1 Mars 2008