Bujqësia, qeveria 10 milionë USD ndihmë për fermerët në 2008-n
Këtë vit, fermerit do t’i subvencionohet TVSH-ja në masën 6 për qind. Akciza e karburantit për industrinë agropërpunuese do të rimbursohet
Ervin Koçi
Fermeri shqiptar këtë vit do të ketë disa shanse më tepër për të përfituar ndihma nga shteti për zhvillimin e ekonomisë së tij bujqësore. 10 milionë dollarë janë parashikuar këtë vit nga buxheti i shtetit për t’u dhënë në formë ndihme nga qeveria për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Bëhet fjalë për një projekt të prezantuar dje nga ministri i Financave dhe ai i Bujqësisë, që synon të akordojë kredi me interesa të ulëta për fermerët, të cilët prodhojnë për tregun. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë prezantimit të këtij projekti ka shpjeguar se nga ky fond do të përfitojnë vetëm fermerët që prodhojnë për tregun. Projekti konsiderohet shumë i rëndësishëm për zhvillimin bujqësisë, pasi ky sektor ka pësuar rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, duke i shkaktuar jo pak humbje ekonomisë së vendit. Përmes këtij projekti parashikohet shpërndarja e fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit për fermerët, në mënyrë që të rritet prodhimi bujqësor në vend dhe të ulen importet dhe çmimet në treg. Fondi për mbështetjen e prodhimit bujqësor prej 860 milionë lekë do të ndahet në dy pjesë. Kështu, 600 milionë lekë do të përdoren deri në fund të muajit qershor në zërin “transfertë në buxhetin familjar”, ndërsa pjesa e mbetur do të përdoret në përputhje me performancën e të ardhurave buxhetore.
Projekti
Qeveria mbështet dhe vlerëson bujqësinë si një ndër sektorët prioritarë në ekonominë e vendit tonë. Këtë status prioriteti për ekonominë shqiptare, sipas ministrit të Financave, Bode, “bujqësia e ka fituar jo thjesht me rezultatin dhe reformat në të cilat është përfshirë, por edhe me peshën që ka në ekonominë shqiptare, ku rreth 1/5 e PBB-së vjen nga sektori i bujqësisë dhe kur rreth gjysma e popullsisë së vendit është përfshirë në këtë sektor me gjithë zinxhirin agroushqimor”. Lidhur me zhvillimet aktuale të këtij sektori, ministri Bode u ndal në disa probleme që ekzistojnë në sektorin e bujqësisë. Sipas tij, në këtë periudhë ritmet e zhvillimit të bujqësisë dhe rritja e prodhimit bujqësor kanë pasur një dinamikë më të vonuar në krahasim me sektorë të tjerë të ekonomisë, qoftë të industrive, qoftë të rrjetit të tregtisë, por qoftë dhe të sektorëve të veçantë si sektori i ndërtimit që kanë patur një dinamikë specifike. Për të garantuar një rritje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit, qeveria ka parashikuar të ndërmarrë një sërë masash. Sipas Bodes, "një sërë politikash janë duke u zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë në një kohë që reforma të tjera do të mundësojnë rritjen e interesit për prodhimet bujqësore dhe rritjen e vëmendjes së tregut për këtë sektor”. Në dy vitet e fundit kemi një rritje të nivelit të tregtimit të prodhimit bujqësor, një përmirësim të dukshëm të bilancit të eksporteve dhe importeve nga ky sektor, duke kaluar nga raporti 1 me 9 në 3 me 7.
Rimbursimet
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka shpjeguar se aktualisht sektori i bujqësisë po përballet me probleme të shumta, të cilat janë trashëguar në vite. Ndër nismat e tjera të parashikuara këtë vit për zhvillimin e bujqësisë është subvencionimi i tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 6 për qind, si dhe rimbursimi i akcizës për karburantet që përdoren në industrinë agropërpunuese. Sipas Gjanës, “këtë vit filloi dhe rimbursimi i TVSH-së për të gjitha shitblerjet e bëra në tregun e brendshëm të prodhimit bujqësor, përfitim që shkon në familjet fermere dhe që ne presim një efekt prej 50-60 milionë dollarë, ndërkohë që është deklaruar dhe vendosur dhe rimbursimi i akcizës së të gjitha karburanteve të rënda që do të përdoren në industrinë agropërpunuese”. Përmirësimi i politikave mbështetëse mbetet një nga prioritetet e MBUMK-së për ta bërë bujqësinë pjesë të ekonomisë së tregut. Sipas Gjanës, “Shqipëria është vendi me 2-5 herë më pak tokë për frymë të popullsisë se mesataret e rajonit dhe vendeve të BE-së dhe sipas regjistrimit më të fundit rreth 350 mijë ferma në aktivitet janë me madhësi mesatare vetëm 1.2 ha, madhësia më e vogël në Europë, nga këto vetëm 20 për qind e fermerëve kanë qasje në treg”. Pjesë e tregut fermerët do të jenë vetëm atëherë kur të ofrojnë një produkt me të cilin paraqiten konkurrues dhe alternativ për tregun. Sektorët që do të përfitojnë nga kjo mbështetje do të jenë prodhimi i perimeve, frutave, ullirit, vreshtarisë dhe minifermave blegtorale. Në mbështetje të fermerit dhe konsumatorit, ministri Gjana përmendi rritjen e investimeve publike për ngritjen e rrjetit të marketingut bujqësor në të gjithë vendin, vënien në funksionim të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, miratimin e ligjit “Për Ushqimin“, si dhe zbatimin e disa projekteve të huaja në funksion të këtyre masave.
1 Mars 2008