E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa: Të shqetësuar për vazhdimin e krizës

STRAZBURG- Nga Strazburgu vjen një tjetër apel për politikën shqiptare për të zgjidhur krizën politike e cila po mban peng integrimin e vendit.
E mbledhur sot në mëngjes Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKiE) miratoi një deklaratë të përbashkët mbi situatën politike në Shqipëri ku nënvizon shqetësimin e saj për vazhdimin e krizës, pavarësisht kthimit të pjesshëm në Parlament të deputetëve PS.

“Byroja e Asamblesë është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar.”- nënvizon APKiE.

Duke reaguar në prag të manifestimeve që dy partitë kanë planifikuar të zhvillojnë saktësisht më 30 prill nga PS dhe 1 maj nga PD, APKE “bën thirrje të gjithë drejtuesve politikë të garantojnë rifillimin e dialogut politik brenda parlamentit dhe të sigurojnë mbështetjen e popullit në këtë proces demokratik.”
“Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë aktivisht dhe në vazhdimësi në punimet e Parlamentit. Duhet të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve të Shtetit me qëllim që të çojë pëpara reformat urgjente të nevojshme për integrimin Evropian të vendit.”- thekson deklarata e përbashkët e Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës.

Në fund të deklaratës Byroja kujton mundësinë për tju drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar opinion lidhur me qëllimin e hetimit që do të zhvilohet nga komisioni parlamentar, veçanërisht për sa i përket rihapjes së kutive të votimit. Propozimi deri tani nuk pranohet nga opozita.

Më 25 shkurt, deputetët e Partisë Socialiste hynë në Parlament dhe bënë betimin, pasi bojkotuan për gjashtë muaj punimet parlamentare duke kushtëzuar prezencën e tyre në Parlament me aprovimin e dy projekt-ligjeve që kishin përgatitur, për të cilët pretendojnë se janë hartuar për t’i bërë zgjedhjet e qershorit 2009 plotësisht transparente. Më 19 mars, Parlamenti aprovoi një projekt-vendim për ngritjen e një komisioni hetimor mbi zgjedhjet legjislative të qershorit 2009.Në mungesë të një marrëveshjeje mes dy partive kryesore lidhur me mandatin e këtij komisioni hetimor, deputetët e partisë socialiste refuzuan të marrin pjesë në këtë komision.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›