Afatet e hetimeve, Prokuroria kërkon ndryshime në ligj
Luan Kondi
TIRANË - Respektimi i afateve hetimore për çështjet penale ishte një nga temat e trajtuara në takimin që prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zhvilluan dje me drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se ministri Alibeaj kërkoi vëmendje për zgjatjen e afateve hetimore. Prokurorët shfaqën mendimin se duhen bërë ndryshime në ligj, me qëllim përcaktimin e afatit hetimor në varësi të natyrës së veprës penale e cila hetohet. Sipas burimeve zyrtare, në takim u diskutua edhe për strukturën e Këshillit të Prokurorisë, i cili duhet të vazhdojë të punojë jashtë ndikimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Gjithashtu, bisedimet u fokusuan edhe te pozicionimi i Policisë Gjyqësore, ku u shpreh nevoja për ndryshimin e ligjit përkatës që do të rregullonte më mirë funksionimin e saj.
Debatet
Nga të njëjtat burime mësohet se një ndër pikat mjaft të diskutuara ishte dhënia e masës së arrestit me burg, e cila jepet në një farë mënyr,e vend e pa vend, pra edhe në raste kur një masë e tillë e tejkalon cakun e ashpërsisë së ligjit, duke sjellë ndoshta efekte të ndryshme nga funksioni i tij, si një mjet për të vënë drejtësi. Në këtë drejtim u kërkua edhe një herë më tepër vëmendje në lidhje me respektimin e të drejtave të të dënuarve me burgim, si dhe i rasteve të lirimit të të burgosurve, kur vazhdimi i burgimit mund të rrezikojë jetën e tij. Pjesëmarrësit diskutuan edhe për rastet kur palëve të interesuara nuk iu komunikohen vendimet e pushimit të një çështjeje. Sa i përket etikës dhe përpilimit të një kodi etik për prokurorët, rëndësi iu dha, përveç luftimit të korrupsionit, edhe problemit të mosparaqitjes pa arsye madhore të prokurorëve në seancën gjyqësore, gjë që çon në shtyrjen dhe zgjatjen pa nevojë të procesit. Në takimin e përbashkët të prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj me drejtuesit e prokurorive të rretheve gjyqësore u diskutua në lidhje me disa rekomandime të Ministrisë së Drejtësisë në emër të Këshillit të Ministrave për Prokurorinë, ku tema kryesore kishte të bënte me rritjen e efikasitetit të organeve të ndjekjes penale në luftë kundër kriminalitetit.
Dosjet e pezulluara
Prokurorët kërkuan vazhdimin e hetimeve për çështjet e pezulluara për moszbulim autori, në mënyrë që ato të mos lihen në harresë. Kjo ishte një nga kërkesat që drejtuesit e Prokurorisë së rretheve gjyqësore parashtruan në takimin e së martës me prokuroren e Përgjithshme Ina Rama dhe ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur të mërkurën se gjatë këtij takimi prokurorët kërkuan “që në rastet e dosjeve të pezulluara për moszbulim autori, të vazhdojnë hetimet dhe prokurorët të kërkojnë më tepër llogari ndaj policisë, në mënyrë që dosje të tilla të mos lihen në harresë, gjë që çon në zbehjen e çështjes”. Një tjetër kërkesë e prokurorëve, sipas burimeve zyrtare, ishte edhe reagim më i saktë në lidhje me çështje të tilla si dallimi mes rasteve, kur një çështje penale duhet pushuar apo duhet vendosur mosfillimi i procedimit dhe anasjelltas. Gjatë takimit të zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme u diskutua në lidhje me disa rekomandime të Ministrisë së Drejtësisë në emër të Këshillit të Ministrave për Prokurorinë, ku tema kryesore ishte rritja e efikasitetit të organeve të ndjekjes penale në luftën kundër krimit.
22 Maj 2008