Kryeprokurorja: “Prokuroria të ketë zëvendësprokuror të Përgjithshëm”
TIRANË - Prokuroria Shqiptare duhet të ketë edhe një zëvendësprokuror të Përgjithshëm. Kjo ishte ideja që prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, parashtroi në takimin që pati të martën me drejtues të prokurorive në rrethe, në praninë e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur të mërkurën se në mbledhje, ndër të tjera, u diskutua për rekomandimet që kanë të bëjnë me ndryshimet e karakterit ligjor për reformimin e Prokurorisë dhe rishikimin e pozicionit kushtetues të saj, në kuadër të ideve që Prokuroria të ketë varësi më të madhe nga Ekzekutivi. Nga diskutimet në këtë drejtim, sipas burimeve zyrtare, doli në pah se pozicioni aktual i organit të Akuzës, si një organ i pavarur, është zgjidhja më e drejtë. Në mbledhje u fol gjithashtu për statusin e prokurorit të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit në këtë post, kriter ky që duhet plotësuar përmes ligjit. Në takimin, i cili u zhvillua në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme, u diskutua në lidhje me disa rekomandime të Ministrisë së Drejtësisë në emër të Këshillit të Ministrave për Prokurorinë, ku tema kryesore ishte rritja e efikasitetit të organeve të ndjekjes penale në luftën kundër krimit.
22 Maj 2008