E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Një deputet i shumicës, i përfshirë në grabitjen e pronave



Deputetët e Partisë Socialiste, Alfred Dalipi dhe Erion Braçe, kanë denoncuar dje një rast flagrant të grabitjes së pronës nga zyrtarë të lartë të shtetit në kurriz të banorëve të fshatit Vrëpckë në rrethin e Kolonjës. Në këtë denoncim publik të deputetëve socialistë kanë qenë të pranishëm edhe dy përfaqësues të 33 familjeve të dëmtuara të këtij fshati, të cilat janë dëmtuar nga ky abuzim. Deputeti Braçe tha se këtyre banorëve u janë grabitur pronat nga zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë edhe një prej deputetëve të Partisë Demokratike. “Bëhet fjalë për një ndërhyrje politike të një deputeti. Alibeaj, që sot është ministër i Drejtësisë, ka për detyrë të na i gjejë këtë deputet që ka ndërhyrë dhe dihet përkatësia politike. Ja ku është shkresa. Pra, në këtë moment të gjitha këto institucione nuk marrin vendim në mënyrë të qëllimshme, duke shkelur ligjin thjesht dhe vetëm për shkak të ndërhyrjeve politike, në favor të atyre që kanë grabitur 700 ha pyje, të 33 trungjeve familjare të fshatit Vrëbckë. Kjo është e gjithë historia, dhe siç e kemi vendosur praktikën, kjo dosje do t’i shkojë Presidentit të Republikës”, - tha Braçe, i cili theksoi se në emër të Grupit Parlamentar të PS-së do t’ia dërgonte dosjen edhe prokurores së Përgjithshme.

Deputeti i PAD-së, Lutaj, bashkohet me Partinë Socialiste

Sërish një tjetër lëvizje deputetësh brenda Parlamentit. Dje, deputeti i PAD-së, Pirro Lutaj, ka deklaruar bashkimin dhe aderimin e tij me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Në një deklaratë publike, Lutaj ka argumentuar edhe përse ka votuar pro ndryshimeve të Kushtetutës. “Vota ime është bashkuar gjatë kësaj seance me ato të deputetëve të Partisë Socialiste në emër të një qëllimi të pastër politik. Për këtë akt më duhet të shpjegohem publikisht se kam respektuar zërin e votueseve të mi, të ndërgjegjes time dhe formimit tim politik. Në vazhdim të kësaj logjike dhe në emër të kësaj përgjegjshmërie, pas votimit pro ndryshimeve në Kushtetutë dhe reformën zgjedhore, të deklaroj aktin e përfshirjes time në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, - u shpreh Lutaj.

Biberaj, vizitë ngushëllimi në Ambasadën e Kinës

Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe njëkohësisht anëtar i Grupit të Deputetëve të Miqësisë Shqipëri-Kinë, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, zhvilloi dje një vizitë në Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë për të shprehur ngushëllimet e tij për tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti i rënë në provincën Sichuan të Kinës.
Pas shënimit që la në librin e ngushëllimeve, zoti Biberaj i shprehu ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, zotit Wang Jungling, keqardhjen për fatkeqësinë e ndodhur, si dhe solidaritetin me popullin kinez në këto ditë tepër të vështira.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›