E Diel, 1 Nëntor 2026

“Feniks” vazhdon t'i përkrah njerëzit me skamje

Nga Express më 05 prill 2011 në ora 18:15

Familja e Nuhi Qelit nga Burrniku i Ferizajt, e cila prej pas luftës ka jetuar në një bodrum në fshatin Greme, pritet që shumë shpejtë të bëhet me kulm mbi kokë dhe kjo falë donatorëve dhe Shoqatës Humanitare Bamirëse “Feniks” nga Ferizaj.

Drejtues të kësaj shoqate kanë bërë të ditur se kohë më parë kanë marrë një donacion prej 10 mijë dollarësh nga Gani Burrniku, përkatësisht nga i biri i tij që punon në Afganistan dhe këto mjete i kanë dedikuar për këtë projekt.

Njëri nga udhëheqësit e kësaj shoqate, Sadik Sadiku ka thënë se gjendja e rëndë e kësaj familje dhe kushtet e rënda për jetë, e kanë shtyrë shoqatën për të filluar me këtë projekt.

“Kësaj familje në luftë ia kanë ndezur shtëpinë dhe që prej atëherë kanë jetuar në një bodrum të shtëpisë së një të afërmi të tyre. Një fëmijë i ka vdekur nga lagështia e madhe, ndërsa edhe dy fëmijë tjerë i janë sëmurë po nga lagështia. Edhe vetë kryefamiljari është i sëmurë për shkak se ka qenë për 11 muaj peng i forcave pushtuese serbe dhe i malltretuar tej mase”, ka thënë Sadiku.

Kryefamiljari, Nuhiu, i gëzuar që më në fund familja e tij po bëhet më shtëpi të re, ka falënderuar gjithë ata që kanë kontribuar për ta bërë me shtëpi.

“Një fëmijë më ka vdekur, gruan e kam të sëmurë, vetë jam po ashtu i sëmurë, ndërsa edhe dy fëmijët e vetëm që kam i kam të sëmurë. Zoti i shpërbleftë me të mira ata që po më ndihmojnë mua dhe që po ndihmojnë të tjerët”, ka thënë Nuhiu.

Shoqata Humanitare “Feniks”, ditë më parë ka shënuar 4-vjetorin e themelimit, me një sukses të madh në ndërtimin e mëse 70 shtëpive të ndërtuara për kategoritë e rrezikuara. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›