E Diel, 1 Nëntor 2026

Afera Olldashi, AKEP: Të hiqet ekskluziviteti në kontratën me ATU

TIRANE- Urdhi nr 120 i formosur nga ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i cili i jep firmës “Albanian Telecomunication Union”, të drejtën monopol në tregun e internetit, nuk ka më asnjë dyshim se është në shkelje të plotë të konkurrencës e të ligjit. Në përgjigjen zyrtare, të publikuar sot në gazetën “Panorama”, që AKEP i jep Avokaturës së Shtetit, ku tregohen shkeljet e kontratës, propozon rishikimin e saj dhe heqjen e ekskluzivitetit për firmën.

Pra, nuk ka më dyshim se kontrata është monopol, por në dyshim është mënyra e korrigjimit të saj.Në kontratë, sigurohet me firmën e ministrit, që për 40 vite firma ka ekskluzivitet për çarjen e rrugëve kombëtare dhe shtrimin nën to të fibrave optike. AKEP i tregon në shkresë Avokaturës së Shtetit se përdorimi i termit “ekskluziv” bie në kundërshtim me ligjin për komunikimet elektronike. Në fund të përgjigjes AKEP propozon që me qëllim zbatimin e rregullimeve ligjore të përcaktuara në ligjin Nr.9918 lidhur me realizimin e objektivave rregullatorë për nxitjen e konkurrencës së lirë dhe eficiente për sigurimin e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, facilitetet shoqëruese dhe shërbimet e tjera në sektorin e komunikimeve elektronike, sugjeron marrjen e masave nga organet kompetente për heqjen e termave “të ekskluzivitetit” te përcaktuara në Urdhrin Nr. 120, datë 23.08.2010 “Për dhënien e lejes për përdorimin e pasurisë së paluajtshme publike,aksit rrugor kombëtar,me kundërshpërblim”,lëshuar nga MPPT për ATU sh.a.”

AKEP, në përgjigjen për Avokaturën e Shtetit, propozon mënyrat e korrigjimit të dëmit, që i është shkaktuar tregut dhe shtetit nga një kontratë e tillë.

AKEP është institucioni i dytë, pas Autoritetit të Konkurrencës, i cili tregon ligjin që është shkelur nga Olldashi në Urdhrin 120. Sipas të dy institucioneve, ministri ka vepruar në kundërshtim me nenin e ligjit për konkurrencën dhe komunikimet elektronike,duke krijuar situatë monopol në treg.
(NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›