Përleshja për një iPhone, pranga të fundmit të plagosjes
Policia e Tiranës arreston 36-vjeçarin Vilson Luca, i akuzuar për plagosjen në bashkëpunim të dy personave në një lokal te Kthesa e Kamzës
Tiranë Policia e Tiranës ka arrestuar personin e fundit, i cili ishte shpallur në kërkim, për një plagosje të ndodhur pak kohë më parë në një lokal me muzikë pranë Kthesës së Kamzës, ku mbetën të plagosur dy persona. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se i arrestuari është 36-vjeçari Vilson Luca, i cili akuzohet nga ana e drejtësisë për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë” ndaj Arjan Imerajt dhe Eduart Sokolit, ngjarje e ndodhur më datë 5 gusht 2011, në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës”, në ambientet përpara një lokali në këtë zonë. Sipas hetimeve të kryera, mësohet se shkak i këtij konflikti ku u përfshinë 12 persona ishte humbja e aparatit telefonik iPhone të një klienti në lokal. Gjykata e Tiranës pranoi pak kohë më parë kërkesën e prokurorisë për mbajtjen në paraburgim me afat 40 ditë të dy prej të arrestuarve, Basri dhe Përparim Kurpali. Për dy të arrestuarit e tjerë, Sajmir Rasha dhe Ervis Manjani, gjykata vendosi lirimin, pasi caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se mbrëmjen e ngjarjes të afërmit Kurpali kanë qenë në lokal si pjesë e një grupi prej 5-6 djemsh nga Kukësi. Sipas prokurorisë, ata kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli dhe më pas kanë kërkuar te D.J. i lokalit një këngë për ta. Më pas, në lokal kanë ardhur disa djem të tjerë nga Tropoja. Pak pas qëndrimit në lokal, djemtë nga Tropoja kanë vënë re mungesën e një telefoni iPhone të lënë në tavolinën e tyre. Sipas prokurorisë, ata kanë dyshuar se telefoni ishte vjedhur nga një prej të rinjve nga Kukësi. Kurpali ka mohuar të ishte ai hajduti i telefonit, por më pas ai është konfliktuar fizikisht me personat që po e pyesnin. Në vijim kanë dalë jashtë lokalit shokët e të dy palëve dhe situata ka dalë jashtë kontrollit. Plot 12 veta janë përfshirë në një sherr të përbashkët ku dyshohet të jenë përdorur mjete të forta, si karrige dhe thika. Th.Samarxhiu