Gati projekti për ndërtimin e landfillit të ri për plehrat
ELBASAN Gjendja e fushës së plehrave në Elbasan ka mbledhur edhe njëherë për diskutim aktorë të ndryshëm në këtë qytet. Përfaqësues të ministrisë së Mjedisit, ministrisë së Ekonomisë dhe Transporteve, bashkisë Elbasan, qarkut, prefekturës Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe shoqatave të ndryshme, kanë qenë pjesë e dëgjimit të projektit studimit të mbylljes së fushës ekzistuese të plehrave në Elbasan dhe gjetjes së një zgjidhje të re për këtë shqetësim mbarëqytetar. Kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini u shpreh se çështja e depozitimit të mbetjeve urbane në Elbasan është problem më i madh për banorët e këtij qyteti. Firma paraqiti dy variante, atë të ribërjes dhe trajtimit të fushës ekzistuese duke përcaktuar të gjithë zërat dhe koston financiare, si dhe hapjes së një landfillli të ri. Sipas tij mbyllja e fushës ekzistuese dhe rehabilitimi i saj ka një kosto financiare e cila është e barabartë me hapjen e një landfilli të ri të propozuar nga bashkia e Elbasanit. Por e rëndësishme, sipas Sejdinit, është që ky problem ka hyrë në rrugën e zgjidhjes e që është në vëmendje të qeverisë shqiptare. Kryebashkiaku i Elbasanit ka argumentuar rrezikun e fushës ekzistuese si një nga vatrat gjigande të ndotjes së ajrit, ujit të Shkumbinit dhe ujërave nëntokësore. Ai garantoi se bashkia e Elbasanit i ka gati projektet dhe se e mbështet edhe projektin e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e këtij problem në shkallë qarku. Përfaqësues të firmës projektimit paraqitën para të pranishme variantin e mbylljes së fushës së plehrave në Elbasan i cili përfshin studimet gjeologjike, hidrologjike, mjedisore, ujërat nëntokësore. Firma ka konstatuar se me gjendjen aktuale fusha e plehrave në Elbasan ka sasi të mëdha mbetjesh të ngurta, amonjak, nitrate dhe fosfate. Rehabilitimi përfshin trajtimin e gazrave, trajtimin e ujrave të ndotura, vendosja e membranës izoluese, hapjen e tre gropave për rigroposjen e plehrave vendosjen e membranave mbrojtëse, tubacione drenazhimi, rrugë anësore dhe sipërfaqe të gjelbëruar. Ky trajtim kap shumën e rreth 3.5 milion Euro. Në fund të projektit fusha ekzistuese nuk do të jetë më e dëmshme për banorët e Elbasanit dhe gjithë qyteteve që shtrihen përgjatë Shkumbinit. Fatos Salliu