E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Drejtësia të zbardhë vrasjen e gjyqtarit

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e ka cilësuar tronditëse vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. “Dikush u përpoq ta vriste dhe e vrau gjyqtarin Konomi. Policia dhe organet e drejtësisë duhet të punojnë për të zbardhur sa më parë këtë krim”

Korçë Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu reagon për krimin makabër ndaj gjyqtarit në Vlorë. Prej dy ditësh, ambasadori i SHBA në Tiranë ka ndërmarrë një tur vizitash me autoritetet lokale në qarkun e Korçës. Gjatë paradites së mërkurë ambasadori Arvizu ka qenë në qytetin e vogël të Ersekës, nga ku ka gjetur rastin të flasë për një nga krimet më të rënda të ndodhura së fundmi në Shqipëri. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e cilësoi vrasjen e gjyqtarit të gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi, një krim të tmerrshëm. Pas ceremonisë së inaugurimit të një kopshti në qytetin e Ersekës, ambasadori amerikan deklaroi se kjo ngjarje është tronditëse dhe tejet e dhimbshme, pasi gjyqtari ishte baba dhe la pas dy fëmijë të mitur dhe bashkëshorten e tij. Ai inkurajoi policinë dhe drejtësinë shqiptare të zbardhin sa më parë këtë vrasje të tmerrshme. ”Ishte një ngjarje e tmerrshme ajo e vrasjes së gjyqtarit në Vlorë. Kjo është një ngjarje tronditëse padyshim, por dhe e dhimbshme, pasi gjyqtari ishte baba dhe la pas dy fëmijët dhe bashkëshorten. Dikush u përpoq ta vriste dhe e vrau gjyqtarin Konomi. Policia dhe organet e drejtësisë duhet të punojnë për të zbardhur sa më parë këtë krim”, - është shprehur ndër të tjera ambasadori amerikan. Gjyqtari Konomi u vra të premten e kaluar nëpërmjet një atentati me eksploziv, teksa ishte duke udhëtuar me mjetin e bashkëshortes së tij në një nga rrugët qendrore të Vlorës. Ambasadori Arvizu ka qenë në Ersekë për një inaugurim të kopshtit numër 2 të këtij qyteti, që është rikonstruktuar nga USAID-i me një fond prej 170 mijë dollarë, teksa vëmendja e tij është ndalur në vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Diplomati amerikan pas kësaj ka vijuar vizitën e tij në bashkinë e qytetit të Pogradecit me kryebashkiakun Artan Shkëmbi. Arvizu e ka konsideruar një element kyç procesin e decentralizimit në vend. Nga Pogradeci, në takimin e zhvilluar me kryebashkiakun Shkëmbi, ambasadori ka theksuar se duhet të gjendet një mënyrë për të ndihmuar dhe mbështetur kryetarët e bashkive apo komunave, pavarësisht ngjyrës së flamujve. Sipas diplomatit amerikan, është detyrë e qeverisë qendrore të mbështesë pushtetin lokal, sidomos përsa i përket procesit të decentralizimit, që duhet të ketë metoda transparente për taksat dhe grantet.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›