E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet shtëpia e ish-kreut të PD-së së Korçës

Noteri Agron Azisllari nuk jeton në Shqipëri dhe është larguar në drejtim të Kanadasë. Polica ka nisur hetimet

Korçë Digjet shtëpia e ish-kreut të PD-së në Korçë, noter, nisin hetimet. Shtëpia e një drejtuesi të lartë të Partisë Demokratike, me profesion noter, është përfshirë nga flakët, duke u djegur të gjitha orenditë shtëpiake që ndodhen në të. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se banesa e shtetasi Agron Azisllari është djegur e gjitha, ndërsa prej disa kohësh në të nuk jeton njeri. Azisllari bashkë me familjen e tij janë larguar drejt Kanadasë. Ndërkaq kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe për të zbuluar shkaqet reale të këtij zjarri. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë, mësohet se flakët e zjarrit kanë rënë në rrethana krejt të paqarta gjatë orëve të mbasdites të të mërkurës. Banorë të lagjes 7 ku ndodhet shtëpia, shumë pranë qendrës së qytetit, kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës për të ndërhyrë në kohë që ai të mos përhapej. Shtëpia dykatëshe në lagjen 7 në qytetin e Korçës është djegur tërësisht, ndonëse dy mjete zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë në kohë për të shpëtuar sa të mundin nga shtëpia e mbyllur, në të cilën noteri i njohur edhe si politikan lokal në qytetin juglindor nuk ndodhej aty. Flakët e zjarrit të shtëpisë së Azisllarit kanë qenë të mëdha, ndërsa ato kanë rrezikuar dhe një varg shtëpish të tjera që gjendeshin pranë saj. Banorët e alarmuar nga frika e përhapjes së zjarrit kanë ndërhyrë dhe vetë me mjete rrethanore deri në momentin që kanë mbërritur zjarrfikësit. Pas më shumë se 60 minutash, zjarri është vënë nën kontroll të plotë, duke u fikur, ndërsa shtëpia e ish-kreut të PD-së, i cili për shumë vite ka ushtruar profesionin e noterit, është shkrumbuar e gjitha, duke mbetur vetëm muret. Nuk dihet nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo ka ardhur si pasojë e ndonjë shkëndije elektrike. Këtë dilemë është duke e zgjidhur grupi hetimor, i cili po punon për ngjarjen, ndërkohë që dhe dy janë pistat ku janë përqendruar hetimet. Azisllari për shkak të profesionit të tij si noter disponon një arkiv shumë të pasur dokumentesh zyrtare, kryesisht dokumente pronësie që lidhen me qytetin e Korçës dhe jo vetëm. Nuk përjashtohet mundësia që arkivi të strehohej në shtëpi dhe të mund të jetë zhdukur bashkë me zjarrin që ktheu në hi gjithçka. Gjithsesi, hetimet e policisë vazhdojnë, ndërsa është duke u punuar për të zbuluar shkakun e zjarrit të papritur në një shtëpi ku prej disa muajsh nuk jeton askush dhe që, për më tepër, nuk përdoret energjia elektrike.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›