Afera, “arrest shtëpie” prokurorit Plepi
Fatos Mahmutaj
Aleksandër Plepi, prokurori i akuzuar për përfshirjen në një afere korruptive pak ditë më parë do të qëndrojë në arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Gjykata e Tiranës, shpalli këtë vendim mëngjesin e djeshëm, pasi përfaqësuesi i akuzës paraqiti provat e dyshuara në ngarkim të ish-kolegut, tashmë të pandehur. Pas seancës që zgjati rreth një orë, dhe që u monitorua edhe nga përfaqësues të Ambasadës amerikane në Tiranë, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për prokurorin në hetim, ndërsa transferoi çështjen në organin e akuzës dhe Gjykatën e Elbasanit për kompetencë të mëtejshme, pasi prokurori i arrestuar ushtronte detyrën në Prokurorinë e kryeqytetit. Kjo për shkak të konfliktit të interesit që mund të lindë më vonë, për faktin se Plepi gjatë kohës që ka punuar në Prokurorinë e Tiranës ka mbrojtur akuzën në shumë çështje në gjykatën ku iu vendos masa e sigurisë. E njëjta masë sigurie ishte caktuar në mungesë ndaj prokurorit Plepi, pesë ditë më parë. Ndërkohë, mësohet se seanca e djeshme është zhvilluar me debat të ashpër midis prokurorit nën akuzë dhe avokatit të tij Agim Tirana nga njëra anë dhe prokurorit të çështjes Madrid Kullolli nga ana tjetër. Duke mohuar akuzat e ngritura, Plepi pretendoi se nuk kishte lidhje me këtë ngjarje dhe se nuk kishte marrë 50 mijë eurot e dyshuara nga hetimi, si dhe nuk kishte negociuar për një shumë të tillë. “Nuk kam takuar njerëz për t’u kërkuar ryshfet për ulje dënimi. Brraka më parë ishte dënuar me 13 vjet burg dhe pas kësaj u dënua me 14 vjet. Atëherë ku qëndron lehtësia që iu krijua atij për të më paguar!?”, mësohet të jetë shprehur prokurori Plepi. Më tej, gjatë deklarimeve të dhënë para gjyqtares së çështjes, Plepi argumentoi se nuk kishte takuar asnjëherë motrën e Besnik Brrakës, Violanda Brraka, ashtu siç pretendonte akuza. Ai pohoi se ishte fakt, që dikush e kishte marrë në telefon për ta takuar dhe që ai e ka takuar në zyrën e tij në prokurori, por më pas i është shmangur të gjitha takimeve me të. Po kështu edhe motra e të burgosurit Besnik Brraka që mendohet se do të përfitonte nga ryshfeti, dy ditë më parë në gjykatë pohoi se nuk e njihte dhe nuk e kishte takuar ndonjëherë prokurorin Plepi, bashkëshortin e gjykatëses që shqyrtonte çështjen në ngarkim të së vëllait. Përfaqësuesi i organit të hetimit pretendoi se provat ndaj kolegut të tij bazohen në përgjime me fotografi, të cilat mendohet të jenë bërë në ambiente, ku prokurori Plepi ka takuar të afërmit e Brrakës. Në transkriptimet telefonike, përmendej një bisedë e Plepit me të pandehurin Panajot Dhiamandi, personi me të cilin ka kontaktuar dy herë në telefon. Nga transkriptimi i këtyre bisedave mësohet se Plepi e ka sqaruar Dhiamandin që nuk mund të ndërhynte për ulje dënimi ndaj Brrakës, pasi në gjykim janë pesë gjyqtarë. Madje, sipas transkriptimeve Plepi e ka gënjyer disa herë Dhiamandin, për vendet e takimeve, ku asnjëherë nuk ka shkuar.
Tentativa për t’i hequr Brrakës akuzën për trafikimin e 500 mijë fishekëve
TIRANE – Besnik Brraka personazhi për të cilin u arrestua prokurori Aleksandër Plepi, është dënuar me 14 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Kjo gjykatë, e fajësoi Brrakën për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe trafikut të municioneve. Sipas të dhënave nga burime të konfirmuara të hetimit mësohet se pikërisht akuza për trafikim armësh dhe municionesh ka qenë objekti i përpjekjeve të familjarëve e të afërmve të Besnik Brrakës për krijimin e lehtësirave ndaj të arrestuarit. Zyrtarët e lartë të hetimit konfirmuan se Besnik Brraka akuzohej se në vitin 2000 së bashku me persona të tjerë kishte trafikuar në drejtim të Greqisë një sasi prej 500 mijë fishekësh luftarakë. Një sasi e tillë me municione automatiku “Kallashnikov” mësohet se ishte bllokuar nga policia greke, e cila ka kryer procedurat e hetimit në ngarkim të Besnik Brrakës. I cili u fajësua edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda për këtë vepër penale, porse mësohet se ka pasur tentativa që kjo akuzë të binte me qëllim lehtësimin e mbase përgjysmimin e dënimit të dhënë përfundimisht ndaj të pandehurit. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se është tentuar në gjykatë që të ribëhej një riekspertim për municionet e bllokuara në Greqi në mënyrë që ato të mos konsideroheshin material ushtarak dhe akuza e trafikut ndaj Brrakës të rrëzohej. Nëse do të ndodhte kjo i pandehuri do të përfitojnë ulje të ndjeshme të dënimit, por skenari që po tentohej të realizohej ngeci pasi riekspertimi i municioneve të bllokuara në Greqi nuk qe i mundur. Kjo për shkak se kur iu kërkua palës greke, ajo konfirmoi se i kishte asgjësuar municionet në fjalë, të cilat në fakt ishin ekspertuar dhe dokumentet ishin sjellë në Tiranë me lëtërporosi për t’u paraqitur para gjykatës. Personat e implikuar në përpjekje për t’i ulur dënimin Besnik Brrakës kanë tentuar më pas që të modifikojnë ekspertizën e municioneve bazuar në një verifikim mbi dokumentet e ardhura nga Greqia, por është parë e pamundur dhe gjykata nuk ka pranuar që të lexonte ndryshe atë që ishte shkruar qartë në dosjen e ardhur nga Greqia. Në këtë mënyrë, ka dështuar edhe ulja e dënimit për Besnik Brrakën çka u bë shkak për zbulimin e skandalit të korrupsionit në Prokurori. tr.so