E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, tkurren kreditë në valutë

 

Fabiola Çela

Sistemi bankar gjatë 2008-ës ka qenë fitimprurës. Bankat kanë rritur investimet dhe kapitalin e tyre. Por si pasojë e krizës globale financiare gjatë dhjetorit të vitit të kaluar u vu re një tkurrje e kredisë në valutë. Kështu është shprehur kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi rajonal të zhvilluar në qytetin e Korçës.
Bankat
“Sipas të dhënave më të fundit, sistemi bankar shfaqet fitimprurës. Treguesi i kthimit mbi kapitalin për vitin 2008 është 11.35 për qind. Ndërkohë, bankat kanë zgjeruar investimet e tyre, por nga ana tjetër kanë rritur edhe kapitalin. Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit përbën 17.23 për qind të totalit të aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuara sipas rrezikut, ndërkohë që cilësia e portofolit të kredisë është në nivele t¸ kënaqshme”, ka deklaruar Guvernatori Fullani. Por sipas tij, të dhënat paraprake të dhjetorit 2008 flasin për një tkurrje të kredisë për ekonominë, veçanërisht të kreditimit në valutë. “Bëhet fjalë për një nga simptomat më të rënda në rang mbarëbotëror që ka shoqëruar krizën e fundit financiare. Aq e vërtetë është kjo sa në ekonomi shumë të zhvilluara kanali i kredisë për ekonominë dhe ai ndërbankar kanë pushuar së funksionuari ose janë duke operuar në nivele minimale”, ka sqaruar Guvernatori. Sipas tij, ndonëse në mënyrë periferike ky zhvillim është materializuar edhe në ekonominë tonë. Megjithatë përsa i përket së ardhmes, Guvernatori ka theksuar se një stopim drastik i kreditimit të ekonomisë do të dëmtonte rëndë aktivitetin ekonomit të vendit, por edhe vetë gjendjen financiare të sistemit. “Për këtë qëllim jemi në një proces të vazhdueshëm komunikimi me bankat, që të garantojmë se gjatë vitit 2009 ekonomia shqiptare do të marrë mbështetjen e merituar financiare të sistemit bankar”, ka thënë ai. Ndërsa përsa i përket muajit të parë të këtij viti, Guvernatori ka theksuar se, “gjatë muajit janar 2009, vlerësohet se ka përfunduar hezitimi i logjikshëm i individëve ndaj bankës së tyre, i cili u shfaq kryesisht në formën e tërheqjes së depozitave, gjatë periudhës tetor–dhjetor 2008. Sigurisht që ky është një lajm i mirë, që tregon se sistemi bankar shqiptar ka kaluar një provim të vështirë, që shumë prej ‘kolegëve’ të tij në rajon dhe më gjerë nuk e kapërcyen dot. Situata e likuiditetit është përmirësuar”.
Rregullat
Në fund të muajit janar 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë përqindjen bazë të interesit me 50 pikë të përqindjes. Ndërkaq si pasojë e krizës globale financiare në mbledhjen e saj të fundit, Banka e Shqipërisë ka vendosur të propozojë zyrtarisht rritjen deri në 7 herë të garantimit të depozitave në sistemin bankar. Depozitat në sistemin bankar do të garantohen deri në 2.5 milionë lekë ose kundërvleftën në të gjitha valutat. Një tjetër ndryshim i bërë nga Këshilli Mbikëqyrës është ai për kreditë. Sipas bankës, rregullorja e re do t’i sigurojë kredimarrësit një informacion më të kualifikuar, nëpërmjet një procesi të krahasimit të ofertave që ofrojnë banka të ndryshme për të njëjtin produkt. Rregullorja vendos rregulla dhe kërkesa specifike në lidhje me informacionin që i jepet klientit për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët. Pas hyrjes në fuqi të rregullores, klienti ka të drejtë që të njihet me normën efektive të interesit që aplikon banka e tij si dhe me të drejtat që i takojnë atij në këtë proces kredimarrjeje. Sipas bankës, kërkesat e rregullores detyrojnë sistemin bankar të sigurojnë informimin e plotë të klientit para lëvrimit të kredisë, të të gjitha kostove që shoqërojnë klientin gjatë kohëzgjatjes së kredisë dhe të penaliteteve, në rast të mosrespektimit të kontratës, duke siguruar transparencë në tregun e transaksioneve që mbulon kjo rregullore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›