E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni “Anteo”, lirohet pronari i servisit, në burg dy vjedhësit

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 42-vjeçarin Bukat Ymeri, pronar i një servisi mjetesh në Kurbin, i arrestuar katër ditë më parë në kuadër të operacionit “Anteo”. Ndërkohë dy të bashkëprangosurit me të, Arjan Zefi dhe Urim Jella, u lanë në burg deri në përfundim të hetimeve. Në fakt kjo ishte edhe kërkesa e Prokurorisë së kryeqytetit, e cila ka ngritur ndaj tyre akuzën e përfshirjes në vjedhjen e të paktën 38 mjeteve tip “Benz”. Ymeri, 42 vjeç, lindur dhe banues në Kurbin argumentoi dje në gjykatë se është pronar i një varreze mjetesh dhe jo servisi e sipas tij në të shumë njerëz dërgonin mjete të aksidentuara apo pjesë të ndryshme për t’i shitur. Vetëm në rastet kur aty dërgoheshin mjete të paçmontuara ai u kërkonte dokumentacionin, ndërsa në raste kur dërgoheshin mjete të përplasura apo pjesë nuk i kërkonte dokumente. Duke vlerësuar edhe faktin se Ymeri ishte baba i katër fëmijëve të mitur gjykata vendosi “arrest shtëpie”. Ndërsa dy të rinjtë, Arjan Zefi, 20-vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laç dhe Urim Jella, 27-vjeç, lindur në Dibër dhe banues në kryeqytet u lanë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Sipas prokurorisë këta janë arrestuar në flagrancë, katër ditë më parë, nga efektivët e Komisariatit numër 3 të Tiranës, ndërsa po vidhnin një mjet tip “Benz”, në rrugën “Mine Peza”. Ndërkohë pas veprimeve hetimore paraprake të kryera nga policia, të dy të rinjtë kanë rezultuar të jenë autorë të vjedhjes së një tjetër “Benz”-i, në fillim të këtij muaji në rrugën “Ali Demi”, Tiranë. Ky mjet u gjet në servisin e Bukat Ymerit në Fushë Milot. Pas kontrollit të ushtruar nga policia në këtë servis u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për verifikime të mëtejshme, 31 “Benz”-a, pa dokumente përkatës, të cilëve u ishin ndryshuar numrat e shasisë. Ndërsa më tej u bllokuan edhe tetë mjete të tjera në Shkodër, Lezhë dhe Laç. Ndërkohë, dje në kuadër të këtij operacioni, ranë në pranga dy vëllezërit nga Fushë-Kruja, Enver Stafuka, 42-vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe Pëllumb Stafuka, 37-vjeç. Këta janë arrestuar teksa kishin shitur në një argjendari në qytetin e tyre, një sasi bizhuterish që i kishin gjetur brenda “Benz”-it, me targa TR 6940 L vjedhur në 27 janar 2009 në Tiranë. Më tej policia gjatë kontrollit në banesën e tyre gjeti një pistoletë tip “TT”, 37 varëse, 13 byzylykë, 41 vathë dhe 4 unaza, që mendohet se janë gjetur në mjetet e vjedhura, si dhe mjeti me targa TR 1294 H i cili dyshohet se është i vjedhur. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›