Lushnjë, hetim kryekomunarit, abuzoi me fondin e rrugëve
LUSHNJE - Kryetari i komunës Bubullimë në Lushnjë është marrë në hetim dhe ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke përvetësuar një pjesë nga fondi i caktuar për asfaltim rrugësh. Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, bëhet e ditur se tashmë ka nisur hetimi ndaj 59-vjeçarit Todi Xhunga, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Burime nga policia bënë të ditur se dyshohet që Xhunga të ketë përvetësuar një pjesë të fondit prej 24 milionë lekësh të reja, i cili ishte përcaktuar për asfaltimin e rrugëve të dy fshatrave të komunës. Bëhet fjalë për rrugët e fshatrave Bocallar dhe Bardhenjë të komunës Bubullimë. Ndërkohë vetë kryekomunari, për të cilin tashmë ka nisur procedim penal, i kontaktuar në linjë telefonike nga gazeta "Panorama", mohon të ketë dijeni në lidhje me procedimin që ka nisur ndaj tij. Ai shpjegon që nuk është vënë në dijeni nga asnjë organ kompetent për këtë hetim. Gjithashtu ai mohon se komunës i është përcaktuar një fond i tillë për asfaltim rrugësh. Ndërkohë versioni i policisë është krejt tjetër. Nuk është hera e parë që kryetarë komunash përfshihen në skandale, ku përvetësojnë shuma të caktuara nga fondet që përcaktohen për objekte të ndryshme në komuna. Rasti më i fundit, ai i komunës Bubullimë të Lushnjës, bën fjalë për përvetësimin e një shume të konsiderueshme parash nga fondi i miratuar për asfaltimin e 2 rrugëve të kësaj komune. Burime nga Komisariati i Policisë së Lushnjës bënë të ditur se dyshohet që me fondin prej 24 milionë lekësh të rinj, ka abuzuar vetë kryetari i komunës Bubullimë, Todi Xhunga, ndaj të cilit tashmë ka nisur procedimi penal. Të njëjtat burime bënë të ditur se Xhunga ka shpërdoruar detyrën me fondin e përcaktuar për asfaltimin e rrugëve të fshatrave Bocllar dhe Bardhenjë. Në një kohë kur policia e Lushnjës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për kryekomunarin Todi Xhunga, burime nga policia bënë të ditur që pjesë e hetimit që po kryhet janë edhe persona të tjerë, punonjës të komunës Bubullimë, por edhe banorë të fshatrave përreth. Dyshohet se 59-vjeçari mund të ketë pasur bashkëpunëtorë të tjerë në lidhje me veprën penale për të cilën po hetohet. Sipas të njëjtave burime, bënë të ditur që hetimi do të shkojë edhe më tej, deri tek prokurimet që kanë miratuar fondin për asfaltimin e dy rrugëve.