E Diel, 1 Nëntor 2026

Fierza drejt pikut, KESH eksporton energji në Greqinë

 

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës është drejt pikut. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit situata hidrike në kaskadën e Drinit është goxha e mirë. Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është 290.48 metra, duke qenë kështu fare pak larg pikës maksimale. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy hidrocentralet e tjerë të Komanit dhe Vaut të Dejës. Në një situatë të tillë, KESH ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë. Gati-gati e gjithë kërkesa për energji po plotësohet nga prodhimin vendas. Por pavarësisht rritjes së prodhimit vendas, përsëri KESH ka mundësi të eksportojë energji dhe kjo si pasojë e situatës së mirë hidrike. Konkretisht, sipas burimeve zyrtare, KESH eksporton çdo ditë drejt Greqisë 1.6 milionë kilovat/orë në ditë. Në fakt eksporti me Greqinë ka nisur që më datë 22 janar dhe ishte parashikuar që të përfundonte më 28 janar. Por duke qenë se situata hidrike në kaskadën e Drinit është goxha e mirë, KESH ka vendosur që të shtyjë eksportin e energjisë me Greqinë. Burime nga KESH shprehen se eksporti me shtetin helen është parashikuar që të vazhdojë deri në fund të muajit shkurt. Gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Energjetikës, drejtuesit e këtij institucioni sqaruan edhe detajet e kontratës së eksportit të energjisë me Greqinë. Sipas kësaj kontrate, KESH do t‘i shesë PPC s.a.-së, energji elektrike 8 orë në ditë në intervalet kohore 09:00-13:00 (4 orë) dhe 16:00-20:00 (4 orë), nga dita e hënë deri në ditën e shtunë, me një kapacitet 200 MW në total. Çmimi/njësi i shitjes së energjisë elektrike do të jetë çmimi/njësi i bursës së Greqisë për çdo orë – minus 4 për qind. Këto 4 për qind janë humbjet e transmetimit të HTSO (OST greke) dhe çmimet e bursës nuk i përfshijnë këto humbje. Bursa greke administrohet nga HTSO. Ndërkohë sipas drejtuesve të KESH-it, përveç kontratës me Greqinë korporata po shikon edhe mundësinë e eksportit edhe me vende të tjera, dhe kjo si pasojë e situatës së mirë hidrike.

Fierza

290.48 metra niveli i ujit
në HEC-in e Fierzës

264 m3/sek prurjet e ujit në kaskadë

13 cm rritja ditore e nivelit të ujit

172.30 metra niveli i
ujit në HEC-in e Komanit

120 m3/sek prurjet
anësore të ujit

74/10 metra niveli i ujit në
HEC-in e Vaut të Dejës

19.6milionë Kilovat/orë
është konsumi ditor i energjisë

19.4 milionë kilovat/orë është
prodhimi vendas i energjisë.

1.6milionë Kilovat/orë energji
në ditë eksporton korporata energjetike
drejt Greqisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›