E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera me fondet e BE për Shqipërinë

 

Trazhgim Sokolaj

Një zyrtar i shtetit shqiptar, i cili në vitin 2001 nuk pranoi të bëhej pjesë e korrupsionit me fondet-ndihma, që Bashkimi Evropian lëvroi për Shqipërinë, u përball me një varg peripecish të paparashikuara përfshi dhe shantazhin. Gjatë kthimit nga Brukseli ai u ndalua për një sërë formalitetesh në aeroportin e Budapestit edhe pse zotëronte pasaportë shërbimi. Pasi u kthye në Tiranë denoncimi i tij u mbajt shënim në disa letra, që duket se nuk do të shkojnë kurrë në gjykatë, ndërsa paditësi u “këshillua” të bënte kujdes në raste të tilla. Episodi i panjohur për publikun shqiptar vjen në librin “Krimi dhe Antikrimi”, me autor oficerin Bujar Hoxha, aktualisht shef i Sektorit të Hetimit për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit. Libri sjell një vëzhgim të mprehtë mbi kriminalitetin shqiptar, bën prezente raste shqetësuese korrupsioni në kapitullin që i kushtohet këtij fenomeni. Një prej këtyre rasteve është edhe skenari i guximshëm i përfitimit të 10 për qindëshit nga fondet që Bashkimi Evropian i akordoi Shqipërisë në vitin 2001. Gazeta mësoi se bëhej fjalë për një fond 200 milionë dollarë, 10 për qind e të cilit u kërkua të mos shkonte në destinacionin zyrtar, por në xhepat e nëpunësve të Brukselit dhe Tiranës. Pa cenuar konfidencialitetin e çështjeve të tilla, oficeri Hoxha sjell për publikun mekanizmin e funksionimit të këtyre sipërmarrjeve, që përafrojnë me krimin e organizuar. Për shkaqe të ditura, skandale të tilla jo vetëm që nuk u bënë publike në kohën që ndodhën, por edhe policia dhe autoritetet ligjzbatuese patën pengesa të mëdha të vepronin në hetimin e këtyre aferave.  
Fondet e Brukselit    
“Një specialist i njohur që punonte në një institucion qendror kërkoi takim për të denoncuar veprime korruptive të kolegëve të tij me fondet dhe ndihmat, që lëvroheshin nga Bashkimi Evropian. Në deklarimet e tij, shpjegoi se bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit kishin vajtur në Bruksel për të pranuar nënshkrimin e një pakete financiare, ndihmë për Shqipërinë. Gjatë kontakteve konfidenciale, u ishte kërkuar dhjetë përqindëshi, për të cilin personi në fjalë kishte refuzuar në mënyrë kategorike. Në kthim sapo kishin zbritur në një aeroport të Evropës, duke pritur për të ardhur në linjën përkatëse, ishte ndaluar nga policia e aeroportit me pretekstin e verifikimit të dokumentacionit. Shpjegimet e tij se kishte pasaportë shërbimi nuk dhanë asnjë lloj efekti. Policia e shoqëroi në dhomat e verifikimit, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit erdhën në Shqipëri dhe të detyruar nga rrethanat që mund të precipitonin, njoftuan eprorët përkatës. Zhurma e bërë nga pala shqiptare dha efektet e pritura. I dyshuari doli nga shërbimi i detyruar dhe me një ditë vonesë erdhi në Shqipëri. Ai nuk ishte në gjendje të vërtetonte tradhtinë e shokëve, megjithatë njëri prej tyre, duke e ledhatuar e këshilloi të bënte kujdes në raste të tilla. Por ai me vëmendjen e një njeriu të ndershëm dhe që kuptoi mashtrimin e ngritur nga shokët e tij dhe “specialisti” në Bruksel, erdhi për të denoncuar. E keqja është se asnjë nga hetuesit shqiptarë nuk ishin në gjendje të vërtetonin denoncimin e dhënë. Çështja e korrupsionit me fondet e Brukselit duhej të mbetej në harresë si një mashtrim pa rëndësi”.
Afera me fabrikën e ushqimit të fëmijëve
Në vazhdim të shembujve që sjell libri “Krimi dhe Antikrimi”. Në faqen 172 përshkruhet një tjetër skandal, kësaj radhe i ndodhur në Shqipëri me një fond të huaj prej rreth dy milionë euro. Denoncimi kishte mbërritur në polici me anë të një letre anonime, informacionet e të cilës me aq hetime sa u kryen, po rezultonin të vërteta. Por për shkak se të implikuarit kishin imunitet, u desh që për këtë çështje të viheshin në dijeni instancat e larta shtetërore dhe për shkaqe që mbeten mister, çështja u arkivua për të mos u hapur kurrë edhe pse 2 milionë eurot u tërhoqën, siç mëson gazeta nga Ministria e Bujqësisë, por fabrika nuk u ndërtua asnjëherë. Ja si përshkruhet rasti në librin “Krimi dhe Antikrimi”: “Nëpërmjet korrespondencës vjen një letër anonime, ku thuhej se në një nga ministritë tona, ishin vjedhur miliona para, të ardhura në formë kredie nga Qeveria italiane për investimin e një fabrike për prodhimin e ushqimit të fëmijëve. Sipas autorit anonim, bëhej fjalë për gati dy milionë euro. Gjithashtu letërshkruesi porosiste të bëhej kujdes nga disa persona (jepte emrat) që kishin dorë në këto vjedhje, që sipas tij, ishin të lidhur me zyrtarë të lartë. Verifikimet paraprake sqaruan se kredia ishte akorduar nga Qeveria italiane dhe ishin hedhur disa lopata për ndërtimin e fabrikës. Më pas shkruhej se nuk po gjendeshin pajisjet e fabrikës për shkak të çmimit të lartë. Krahas veprimeve verifikuese u informuan edhe instancat e larta, meqenëse implikoheshin njerëz me imunitet. Ndërkaq, u mësua se raporti i shkruar i kishte nevrikosur aq shumë, saqë u përpoqën të largonin nga puna disa prej tyre, por për të mos krijuar acarime të mëtejshme, u mjaftuan me kaq. Nga ana tjetër, letra anonime u arkivua për të mos u hapur më”.
Korrupsioni në shëndetësi
Libri i oficerit të policisë Bujar Hoxha, hedh dritë edhe mbi raste flagrante të korrupsionit në sistemin shëndetësor dhe politikat e këtij sektori. Në shembujt e paraqitur në libër, të cilat po i publikojmë më poshtë, ilustrohen raste konkrete të trajtuara në fazë verifikimi nga policia shqiptare, lidhur me tenderime për ilaçe me të cilat furnizohen spitalet, të cilët sipas analizave kanë efektshmëri më pak se 20 për qind, ndërsa pacientët dhe shteti shqiptar shpenzon për to me shpresë për përmirësimin e shëndetit të qytetarëve. “Personeli mjekësor paguhet nga shteti, por asnjë konsultë, mjekim, operacion apo ndërhyrje nuk ofrohet pa paguar. Personeli që mbulon aparaturat krijon defekte të qëllimshme dhe paguhet nga mjekët që kanë klinika private. Makutëria e tyre arrin deri në krime të rënda. Ka zëra se disa mjekë dhe infermierë janë kontraktuar me funeralet, që kryejnë shërbime të planifikuara, veçanërisht në pavijonet që kurojnë sëmundje të pashërueshme. Pacientët që lëngojnë gjatë dhe janë pa shpresë, stimulohen me injeksione, ndërkohë që autorët paguhen. Në fushën e medikamenteve, gjërat paraqiten më të kobshme. Nuk është fjala për mungesën e barnave, vjedhjet apo shitjet, që në të vërtetë përbëjnë vepra penale të dënueshme. Problemi duhet parë tek ilaçet që futen nëpër spitale si rezultat e tenderëve të zhvillohen nga Ministria e Shëndetësisë. Në vitin 200... u morën të dhëna se një kompani farmaceutike kishte futur në spitalin e Tiranës disa ilaçe me efektivitet as 20 për qind. Gjithçka u vlerësua për verifikim, mirëpo dokumentacioni ishte rregulluar aq bukur sa nuk jepte shanse për të filluar një hetim. Megjithatë, tërhiqte vëmendjen fakti që ky dokumentacion ishte orientuar nga njerëz kompetentë të përfshirë në këtë krim të “jakave të bardha”, madje deri tek titullarë të rëndësishëm të kësaj Ministrie”.   

Dy fjalë për librin
Libri i Bujar Hoxhës i dalë në qarkullim që nga muaji gusht në verën e këtij viti, është ideuar me dy linja kryesore në të cilat autori ndërton rrëfimin e veprës së tij. Krimi është kolona e parë, aty pasqyrohen historitë e bandave më të rrezikshme kriminale në Shqipëri, si dhe fenomenet që shoqërojnë aktivitetin e nëntokës së kriminalitetit, ndërsa kolona e dytë e librit është antikrimi, ndërthurur me precedentë konkretë, referime në literaturën vendase e të huaj dhe ide të autorit për përmirësimin e situatës dhe fuqizimin e autoriteteve ligjzbatuese në luftën kundër krimit. Autori i librit Bujar Hoxha, ka përfunduar Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 1978, më pas është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë dhe mban titullin avokat, ndërsa ka kryer detyra drejtuese në polici në disa rrethe të vendit, kurse aktualisht është shef sektori në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.

Precedenti i arrestit me zyrtarët e KE
Ishte fundi i muajit mars 2007 kur në Bruksel, prokuroria vendase urdhëroi arrestimin e tre zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Sergio Tricarico, 39 vjeç e Giancarlo Ciotti, 46 vjeç si dhe sipërmarrësi Angelo Troiano, të tre italianë, ranë në pranga me urdhër të prokurorisë belge në lidhje me skandalin e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas hetuesve të Prokurorisë në Bruksel, tre zyrtarët kanë përdorur shantazhin me qëllim arritjen e përfitimit të shumave të mëdha financiare. Prokuroria e Brukselit hapi një hetim gjigant menjëherë pas denoncimit të marrë në zyrën kundër Mashtrimit në Bashkimin Evropian. Hetimet zbuluan se tre zyrtarët e BE-së, kishin kryer abuzime me qiramarrjet e selive të BE-së në disa vende të botës përfshi këtu Shqipërinë dhe Indinë, konkretisht selitë e BE në Tiranë dhe Nju Delhi. Ata kishin abuzuar edhe në ndërtimin e sistemeve të sigurisë në godinat ku është vendosur administrata e BE-së në këto shtete. Ky precedent duket se përkon të paktën në mekanizëm, me rastin e denoncuar në librin e oficerit të policisë Bujar Hoxha, “Krimi dhe Antikrimi”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›