E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i turpit

Brizida Gjikondi 

Shteti shqiptar ende nuk ka një inventar të qartë dhe të saktë për shtetasit e vet dhe vendndodhjet e tyre, si brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, që të gjithë dimë se ...gjysma e popullsisë ndodhet jashtë vendit dhe është antikushtetuese ta lësh këtë pjesën kaq aktive pa votuar. Ku janë Kartat e Identitetit, ku është sistemi adresor kombëtar, ku është regjistri i abdetuar elektronik i zgjedhësve. Po regjistri i emigrantëve të identifikuar si të tillë dhe procedurat për votimin e tyre ku janë..?!! Si mund të arrihet në zgjedhje demokratike pa këtë infrastrukturë të domosdoshme? Gjithashtu, tashmë me dhjetëra bashki dhe komuna kanë me qindra rrugë dhe godina të paidentifikuara, emërtuara dhe numërtuara çka përbën element kyç për prodhimin e Kartave të Identitetit. Por jo vetëm kaq, por të gjithë ne shtetarët e këtij shteti e kemi informacionin zero, në lidhje me procedurat se ku ndodhet sistemi i Kartave të Identitetit aktualisht. Se si do të arrihet në shpërndarjen dhe në pajisjen me këto karta për sa kohë që e gjithë infrastruktura që të çon tek prodhimi i tyre është i kompromentuar. Por s'mjafton kjo situatë kaotike me sfond grotesko-mafioz tipike shqiptare për të bërë të qartë se Zgjedhjet 2009 do jenë TURPI i radhës, por gjithë ky kaos në një grusht vend dhe në një grusht njerëz damkoset dhe me Kodin më të ndërlikuar dhe sharlatan të rruzullit.
Projekt kodi i ofruar është kryekëput një akt ligjor jo transparent i pa debatuar dhe konsultuar me mbarë faktorët kombëtarë, faktor po mbi të cilin ky Kod do të aplikohet. Ky Kod është një produkt djallëzor dhe një simotër e ligjeve mafioze, që sollën Gërdecin është një produkt antikombëtar si dhe ndryshimet e Kushtetutës të 21 prillit është një puç kushtetues i shndërruar dhe fuqizuar në ligj është një kapje që në gjenezë e shtetit të mëpasshëm, është një Kod Dhune, një Kod Diktati, një Kod Turpi.
Kush kanë qenë hartuesit e tij?!! Ç'performancë dhe kontribute vlerash kanë lënë në drejtimin e shtetit dhe jurisprudencës personazhe si Xhafa, Rusmali, Islami dhe ekspertët e tyre partiako-anonimë.
Pse Kodi nuk debatohej në tryezën e Komisionit të Reformës Zgjedhore por në ambiente, debate dhe rrugë informale.?!!
Kush është roli i ekspertit të OSBE-së z.Bylykbashi, a ka qenë ai jurist dhe në Kodin e Dushkut..?!! Kush janë orientimet e tij politiko-oportuniste dhe jo juridike?!! Si i ofron ai pranë Organizatës që është i punësuar?!! Po tagra dhe roli i Zv/ministrit aktual z.Viktor Gumi në hartimin e këtij Kodi kush është?!! Po eksperienca juridiko-ushtarake afatshkurtër e zotit Gjiknuri ç'vlerë mund t'i japë këtij Kodi.?!!
Pse produktet e Dushkut anëtarë të këtij komisioni si përfaqësues të PR, PSD, etj., heshtin të kompleksuar, ç'u është premtuar vallë?!!   
Kush i ofroi në Kod formulat zgjedhore të ngjashme me ato të ndërlikuarat e bombës-atomike me emra "të jashtmësh" "De Honti" dhe "Sant Lege" për përllogaritjen e mandateve të deputetëve?!! Në ç'mulli e çojnë ujin këto dy formula djallëzore, mos e çojnë gjë tek 2 partitë plaka PD dhe PS?!!
Me ç'të drejtë shkelet hapur neni 18 i Kushtetutës së Shqipërisë, që sanksionon barazinë e shtetasve dhe të subjekteve para ligjit po orientimet tashmë të lodhura të ndërkombëtarëve për gjithëpërfshirjen në hartimin e Reformës Zgjedhore pse shpërfillen?!!
Me ç'të drejtë votat e mia do i numërojë Sudja dhe Xhaferri ?!! Kujt i thonë broçkulla ata se votat do i lexojnë me skanera, lap topa etj., etj., në një Shqipëri të degjeneruar nga varfëria ekstreme dhe mungesa më minimale e infrastrukturës jetike zgjedhore. 
Kush janë këta grusht burrecësh, që kulisave godasin mu në shpirt demokracinë dhe ardhmërinë e shqiptarëve vetëm e vetëm për t'u ricikluar pambarimisht ata dhe skllevërit e tyre?!! Kur do kuptojnë ata se Shqipëria është e shqiptarëve dhe të gjithë para ligjit dhe Perëndisë jemi të barabartë.
Pse Shqipërisë së vogël dhe të tejlodhur nuk iu ofrua një kod ligjor i thjeshtë i zbatueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Kur këta burrecë do shohin përtej materializmit dhe vdekjes së tyre për të lënë një emër dinjitoz dhe një kontribut kombëtar?!!
Pse duhej që 10 burra shqiptarë të arrijnë në ekstremin e sakrificës, pse duhet që pambarimisht të vuajmë dhe përplasemi ndër njëri-tjetrin. Pse s'heshtim më shumë dhe duhemi po ashtu?!! Ç'përfiton Berisha nga gjithë ky kolaps, që pabesia dhe diktati mafioz i Edi Ramës po i bën së majtës së traumatizuar shqiptare. A është i majtë Edi Rama?!! Pse Edi Rama ushtron presion djallëzor dhe fashist mbi median e shkruar, elektronike dhe faktorin ndërkombëtar për të zbehur e fashitur impaktin e grevës së urisë dhe traumës që po kalon vendi?!! Cilat janë synimet e tij afatgjata?!!
Monopolizimi që i është bërë Kodit Zgjedhor është i frikshëm pasi mbi një Kod të monopolizuar mafioz do ngrihet po një shtet i tillë, ka nga ata që këtë Kod e krahasuan me Kodin da Vinçi, kurrsesi s'është ashtu, pasi buzëqeshja e trishtuar e Mona Lizës s'mund të krahasohet me pragdiktaturën dhe funeralin e lirisë së një kombi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›