Fikso Tiranën,British Council konkurs për fotografinë
“British Council” dhe “Shoot Experience” sjellin këtë javë në Tiranë një event inovativ dhe të veçantë në llojin e tij. Fotografia dhe angazhimi social vijnë së bashku në kuadër të një projekti të “British Council”, Living Together, i cili implementaohet në 27 vende të ndryshme të Evropës, duke eksploruar çështje të kohezionit social dhe dialogut ndërmjet kulturave. Aktiviteti i emërtuar “Capture Tirana” (Fikso Tiranën) është një event fotografik, që fton publikun e thjeshtë, me ose pa eksperiencë fotografike, në një hulumtim të aspekteve të integrimit, bashkëjetesës, ndryshimit dhe respektit për diversitetin. Në datë 21 nëntor 2008, duke filluar nga ora 10.00 ju ofrohet një mundësi për të kaluar një ditë të veçantë, duke parë Tiranën në një dritë tjetër, duke qenë krijues nëpërmjet objektivit të aparatit fotografik. Teknika e ashtuquajtur Treasure Hunting (Gjej Thesarin) do t’i drejtojë pjesëmarrësit përgjatë një itinerari në vendet më domethënëse të kryeqytetit, ku temat e migracionit, integrimi, bashkëjetesës e të tjera kanë lënë gjurmë. Materiali fotografik i grumbulluar gjatë këtij rrugëtimi do të vlerësohet prej një jurie dhe fotot më të mira do të marrin çmime si dhe mundësinë për të konkurruar në evente ndërkombëtare fotografie dhe për t’u ekspozuar për publikun e gjerë. Sfida për pjesëmarrësit është identifikimi i destinacioneve, vizita e tyre dhe fotografimi i tyre për t’i portretizuar sipas këndvështrimit të tyre. Për të realizuar këtë aktivitet vijnë për herë të parë në Shqipëri tre artistë nga Shoot Experience Londër. Kjo kompani ofron shërbime fotografike në Mbretërinë e Bashkuar e në gjithë botën si workshop-e, evente dhe konkurse me qëllim angazhimin kreativ në komunitet si dhe vlerësimin imagjinativ të ambientit që na rrethon. Qëllimi i eventeve të tilla është të inkurajojë pjesëmarrësit të jenë mendje hapur, duke përdorur fotografinë si mjet për të arritur ndryshimet në opinion. Të tilla projekte targetojnë çdo kategori pavarësisht nga eksperienca në fushën e fotografisë.