E Diel, 1 Nëntor 2026

Mospërfillja vrastare

Fatos Çoçoli 

Dita e gjashtë e grevës së deputetëve të ngujuar në Parlament solli ndryshime. Ndryshimet kanë të bëjnë me jetën e të ngujuarve. Me mbërritjen e gjendjes ku organizmi refuzon ushqimin, dëmtohen organet jetësore. Dhe dëmtimet për ata që vuajnë nga diabeti mund të jenë të pakthyeshme. Të gjithë shqiptarët i kanë ngulitur sytë tek ekranet e televizioneve, ndërsa gazetat po shiten si asnjëherë tjetër. Fati i të ngujuarve ka eklipsuar diskutimet për buxhetin e shtetit 2009, për buxhetet me pjesëmarrje të mikrobashkive, për krizën globale financiare në botë dhe pasojat e saj mbi ne, etj. Asnjëherë daljet në televizion të Berishës apo Ramës për çështje, që nuk kanë të bëjnë me grevën nuk u janë dukur shqiptarëve kaq jashtë kohe sa sot. Ndërsa pikërisht për kryengjarjen e këtyre gjashtë ditëve dhe shqetësimin kryesor të shqiptarëve këto dy kryepersonazhe të jetës sonë politike e publike kanë zgjedhur të mos flasin. Asnjë prononcim, sado i largët. Lind pyetja, pse i frikëson kaq shumë kjo grevë? Çfarë ka ajo kaq të veçantë? Historia tregon se grevat e urisë apo të etjes në demokraci zakonisht i zhvillojnë shtresa pak të përfillura të popullsisë. Janë raste fare të rralla kur ato i kryejnë politikanët (si ajo e Marko Panelës në Itali tetë vjet më parë). Është rast i pashoq në skenat politike të Evropës që një grup deputetësh (për më tepër një ish-kryeministër dhe tre ish-ministra) të hyjnë në grevë urie. Dhe që jeta e tyre të rrezikohet kaq shumë, pse partitë politike që nuk i kanë përfillur në kërkesat e tyre nuk gjejnë një mënyrë dialogu me ta. Tani, shumica e shqiptarëve besojnë se mjaftuan mbi 144 orë (pra, mbi gjashtë ditë) që kryebërësit e politikës shqiptare të kuptojnë se këta 10 deputetë e kanë seriozisht, se nga plotësimi i kërkesave të tyre vetëm vdekja mund t'i ndajë. Tani kryefjala e ditës është ndërhyrja, negocimi që vdekja të mos bëjë punën e vet. Këtë nuk e kërkojnë vetëm grevistët dhe familjet e tyre. Këtë nuk e kërkojnë vetëm dy ish-presidentë dhe mijëra intelektualë që firmosën një letër drejtuar Presidentit Topi për të ndërhyrë. Këtë po e kërkojmë ne të gjithë, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Për disa prej nesh, shpotitë dhe mosbesimi i dy-tre ditëve të para janë zëvendësuar nga meraku për jetën e të ngujuarve. Shqetësimi ka hyrë në zemrat e tre milionë shqiptarëve të Shqipërisë. Dhe jo vetëm të tyre. Zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Tiranë nxiti "për një zgjidhje të situatës me konsensus" dy ditë më parë. Deri tani këtë thirrje e kanë dëgjuar vetëm deputetët grevistë, që reaguan menjëherë dhe sollën në arenën politike të vendit dy propozime: një për komisione zgjedhore të depolitizuara dhe një për komisionarë vullnetarë të partive. Dy propozime, që ia bëjnë më të lehtë dy partive kryesore, PD-së dhe PS-së ndryshimin e kodit të ri zgjedhor që kanë përgatitur. Komisionet e depolitizuara janë zgjedhja më e mirë teknike, kurse komisionarët vullnetarë, sigurojnë që manipulime të dy partive të mëdha në kurriz të së voglave të mos ketë. Ose të paktën këto manipulime të mos arrijnë të deformojnë rezultatin zgjedhor. Nuk ka më kohë për t'u treguar mospërfillës, për të injoruar grevën. Të mbrosh dhjetë deputetë, që të mos vdesin nuk do të thotë të dorëzosh gjasat për ta fituar garën e zgjedhjeve të 2009-ës. Mospërfillja tani kthehet në vrastare. Çdo orë që kalon mund të vrasë njerëz në sallën e Parlamentit shqiptar. Rama dhe Berisha duhet të dalin nga zgëqet ku janë futur dhe të tregojnë, në mos mirëkuptim politik dhe qytetari, të paktën shpirtësi, humanizëm. Këtë nuk po ua kërkojnë vetëm dhjetë deputetët e ngujuar dhe familjet e tyre. Këtë po jua kërkojnë të gjithë shqiptarët. Ta dinë mirë se këtë kërkesë e kanë nga të gjithë, edhe pse rruga përpara Kuvendit ende nuk është mbushur me dhjetëra mijëra vetë protestues. Por janë me dhjetëra qindra mijëra vetë shqiptarët që u dhimbset jeta e dhjetë deputetëve sakrifikues. Nëse ende dhe pas këtyre shenjave Berisha dhe Rama nuk do të kenë kurajën të reagojnë, atëherë çdo jetë të këtyre deputetëve të dëmtuar pakthyeshmërisht apo të humbur do ta paguajnë shtrenjtë në kutitë e votimit në qershor 2009. Nëse Berisha dhe Rama synojnë ta kërkojnë votën e shqiptarëve tetë muaj më vonë, këtë duhet ta bëjnë dhe duke treguar mirëkuptim njerëzor dhe shpirtmirësi me të dhjetë të ngujuarit e Parlamentit shqiptar sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›