“Cikloni” zbulon linjën e trafikut
GJIROKASTER
“Cikloni” shkatërron një grup kriminal që merrej me trafikun e klandestinëve. Bilanci flet për pesë të arrestuar dhe mjaft të tjerë të dyshuar nga policia si pjesëmarrës në trafiqe të ndryshme. Një operacion i ndërmarrë në shkallë të gjerë gjatë dy ditëve të fundit nga Policia e Gjirokastrës, për identifikimin e një grupi që dyshohej se merrej me kalimin ilegal të personave për Greqi kundrejt parave, rezultoi mjaft i suksesshëm. Sipas policisë, në orët e vona të së shtunës u arrestuan anëtarët e këtij grupi kriminal me aktivitet të theksuar në fushën e trafikut të klandestinëve drejt shtetit fqinj. Laurent Shehaj, 33 vjeç, Agron Seati 47 vjeç, Qamil Fejzullai 44 vjeç, Çlirim Pashaj 44 vjeç, të katër nga Fieri dhe Bujar Seati 45 vjeç nga Vlora janë personat e arrestuar. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se, të pestë anëtarët e këtij grupi, vepronin duke rekrutuar mjaft persona nga rrethe të ndryshme të vendit për të mbledhur sa më shumë njerëz e më pas t’i çonin ilegalisht në Greqi kundrejt shumave nga 700-1000 euro për person. Influenca e grupit kriminal ka qenë mjaft e fortë sidomos në Vlorë, Fier, Berat, Durrës, Tepelenë dhe Gjirokastrën e përdornin si trampolinë për t’u hedhur drejt Greqisë. Mekanizmi i transportit të klandestinëve nga rrethe të ndryshme të vendit ishte mjaft i thjeshtë. Të gjithë personave që kërkonin të largoheshin drejt Greqisë ilegalisht u sigurohej transporti falas nga vendi ku niseshin e deri në kufirin shtetëror. Për të mos rënë në sy, transporti i klandestinëve kryhej me makinat e rastit. Me të mbërritur në Gjirokastër, ata çoheshin në drejtim të kufirit të gjelbër dhe mandej, dërgoheshin në dy drejtime përmes dy fshatrave kufitarë Radat dhe Dritë. Çmimet e kalimeve ilegale drejt vendit fqinj, varionin nga 700-1000 euro, ndërkohë që nuk u sigurohej rruga në brendësi të territorit grek. Nëse kërkohej, pazari rritej edhe me 500 euro për të çuar klandestinin deri tek agjencia e udhëtarëve në Janinë. Gjatë dy javëve të fundit, ky grup tentoi të kalonte 96 klandestinë nga rrethet e Shqipërisë së Mesme, të cilët janë ndaluar nga shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.