QSU, në 2 vjet asnjë aparaturë e re për pacientët e spitalit
ZIRINA LLAMBRO
Investime në lulishte, një bojë fasadave dhe vetëm kaq. Për dy vjet me radhë në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, më e madhja në vend, nuk është blerë asnjë aparaturë e re. Gjysma e atyre që janë nuk funksionin, ndërsa të tjerat i përkasin dekadave më parë. Diagnostikimi lë për të dëshiruar e për rrjedhojë mjekët kanë vetëm dy mundësi. Ose të vlerësojnë me sy se në çgjendje është pacienti, ose t’i drejtojnë ata në klinikat private. Rëndom ndodh kjo e fundit. Kjo situatë e rëndë nuk ka ardhur si pasojë e mungesës së fondeve. Kanë qenë vetë drejtuesit e QSU dhe Ministrisë së Shëndetësisë që nuk kanë ditur t’i përdorin. Për blerjen e skanerit, rezonancës dhe një sërë aparaturash të tjera të rëndësishme nga buxheti i shtetit për 2007 u akorduan plot 2 milionë dollarë. Ky fond u hodh në kosh. Tenderët nuk u realizuan e aparaturat nuk u blenë. E njëjta gjë edhe këtë vit. Procedurat e prokurimit kanë ngecur keq për ilaçet e jo më për pajisjet mjekësore. Pra, të flasësh për investime në QSU, duket se është disi e pavend. Pacientët vuajnë mungesën e diagnostikimit kompleks dhe sorollaten sa në një klinikë në tjetrën. Për aq kohë sa në këto subjekte nuk ushtrohen kontrolle, nuk është aspak çudi t’u zhvasin paratë e ekzaminimet të mos bëhen siç duhet.
Mungesa e aparaturave
Vetëm një skaner në të gjithë spitalin, që prishet dy herë brenda vitit. Kjo aparaturë është ndër më të rëndësishmet për të ekzaminuar një sërë sëmundjesh, që nga tumoret e deri tek problemet me kockat. Rezonanca manjetike i lë pacientët të presin në radhë për orë të tëra. Edhe kjo pajisje mëse e domosdoshme, mbeti për dy muaj me radhë e prishur. Prej pesë vitesh mungon aparatura që shkrin gurët në veshka. Të sëmurët detyrohen ose të futen në operacion, ose të kryejnë privatisht shkrirjen e gurëve. Fibroskopia, aparatura që diagnostikon tumoret e stomakut dhe probleme të tjera, vijon të jetë jashtë funksionit. Mungojnë ekot në pjesën më të madhe të shërbimeve. Kobaldi me anë të së cilët pacientët me kancer bëjnë rrezet e nevojshme për të lokalizuar sëmundjet është një prodhim i 30 viteve më parë. Në këtë spital mungon një aparaturë e domosdoshme për trajtimin e kancerit të qafës së mitrës. Për paradoks aparatura e “kyriterapisë” ka qenë në spitalin Onkologjik gjatë viteve të diktaturës. Aq keq është katandisur ai tani, sa nuk është blerë një tjetër që prej 7 vitesh. Kjo, po të mendosh se onkologjiku ka kushtuar plot 4 milionë euro. Ato që u përmendën janë vetëm një pjesë e pajisjeve mjekësore që i mungojnë spitalit më të madh në vend. Në sallat e operacioneve, në reanimacione mungojnë pajisje të tjera jo më pak të rëndësishme. Shëndetësisë, ashtu siç pretendohet nuk i kanë munguar fondet. Por paratë që janë dhënë për të blerë pajisje në ndihmë të pacientëve, duket se janë përdorur për të tjera gjëra.
Djegia e fondit 2 milionë dollarësh
Nuk arriti të realizojë asnjë nga tenderët e programuar. Në këtë mënyrë drejtoria e QSU “i vuri shkelmin” 2 milionë dollarëve të përcaktuara nga buxheti i shtetit për pajisjet mjekësore. Koronarografia e skaneri që shërbejnë për diagnostikime mjaft të rëndësishme, ishin dy pajisje të tjera të planifikuara të shtoheshin në QSU. Gjithashtu, ishin parashikuar të bliheshin dhe tre eko, si dhe monitorë për sallat kirurgjikale. Drejtoria e spitalit në deklaratat e saj asokohe, pretendoi se fondi për aparaturat e reja të spitalit u dogj pasi u zbatua me përpikmëri ligji i prokurimit publik. Kjo solli dhe mosrealizimin e tenderëve.