E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, gjoba për 28 mjekë në qendrat shëndetësore

 

Gjobiten 28 mjekë dhe shkarkohen 3 ekonomistë të qendrave shëndetësore në qytetin e Korçës. Kanë qenë inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, të cilët kanë zbuluar shkeljet administrative. Për rrjedhojë, bluzat e bardha do të paguajnë gjobat që variojnë nga 1 mijë deri në 10 mijë lekë. Nga sa u bë me dije, kontrollet evidentuan se mjekët e  qendrave shëndetësore nuk kishin respektuar kufizimet e listës së rimbursueshme të barnave. Masat nuk kanë munguar as për ekonomistët e tre qendrave shëndetësore. Nga kontrollet është konstatuar se kishin shkelje ligjore në fushën e prokurimeve. Për këtë arsye iu pre kontrata e punës. Të njëjtin fat ka pasur edhe drejtori i një qendre shëndetësore në rrethin e Pogradecit. Sipas drejtoreshës Rajonale të Sigurimeve dhe Kujdesit shëndetësor, Mira Nasta, pjesë e kontrollit kanë qenë 140 mjekë, nga të cilët vetëm 28 u gjetën me shkelje të ligjit. U bë e mundur gjithashtu, që nga 39 qendra shëndetësore që ka ky rajon, 28 të kalojnë në procedurat e kontrollit. “Marrja e masave të tilla, bëri të mundur që në qendrat shëndetësore të ketë një përmirësim të dukshëm, veçanërisht në ofrimin e shërbimit nga shëndeti parësor, ku qytetarët dhe pacientët po gjejnë një shërbim edhe më cilësor”, tha Nasta. Ajo nënvizoi se është rritur ndjeshëm disiplina në punën e mjekut të familjes, por edhe e motivimit të tij për të qenë sa më afër qytetarëve”. Megjithatë, pa një forcim të masave për të parë nga afër se si zbatohet protokolli dhe përdorimi i barnave nuk do të kishin këtë situatë që kemi sot”, u shpreh drejtoresha. Në të njëjtën kohë supervizimi është ndalur edhe në faktin, se si qendrat shëndetësore menaxhojnë apo shpërndajnë fondet e rimbursimit që kanë në dispozicion, pa anashkaluar këtu as kontrollin ekonomiko-financiar”, theksoi drejtoresha e DSKSH të Korçës. Në rastin konkret sipas saj,   bëhet fjalë për buxhetin, që kalon nga drejtoria rajonale, i cili ndahet në disa zëra, ku përfshihen fondet për bankat, për sigurimet shëndetësore, por edhe pjesa tjetër që kalon për shpenzimet e tyre. “Megjithatë, konstatohet se gjithçka është realizuar në zbatim të ligjeve ekonomike, financiare dhe ligjeve të kontabilitetit. Zbatimi i Protokollit të mjekimit do të kontrollohet edhe në të ardhmen me të njëjtin rigorozitet”, është shprehur Nasta. Ajo ka paralajmëruar se për të gjithë ata mjekë të familjes, që kryejnë shkelje do të ketë gjithnjë masa në përputhje me ligjin.      j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›