E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera me tokat në Kashar, tre ish-krerët e komunës nën akuzë

 

TIRANE – Tre ish-kryetarët e komunës së Kasharit duket se nuk i kanë përfunduar problemet e tyre me drejtësinë. Në kohën që po gjykohen në Gjykatën e Tiranës për akuzën e korrupsionit dhe falsifikimeve me tokat në këtë njësi të pushtetit vendor, Naim Karaj, Faik Fejzo dhe Alfred Sulaj, janë personat kryesorë që po hetohen në dosjen “Kashari II”. Kjo dosje penale mësohet se përmban shtatë kallëzime nga banorë të zonës, të cilët pretendojnë për tjetërsim dhe mbivendosje në pronat e tyre. Sipas kallëzimeve, skema e abuzimit është e njëjtë nga krerët e komunës si edhe në rastet e mëparshme. Ata kanë firmosur certifikata dhe praktika të dhënies së pronësisë përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mbivendosjes së pronave për persona nga të cilët kanë përfituar shuma të majme ryshfeti. Sipas hetimeve të Prokurorisë, dosja “Kashari II” bën fjalë për abuzime me tokat në periferi të Tiranës, konkretisht një sipërfaqe prej 3 hektarësh. Në dosjen e parë, e cila ndodhet në gjykim, tre ish-krerët e komunës janë akuzuar për abuzime me sipërfaqe tokash që shkonin në 18 hektarë. Prokuroria tha se personat e dëmtuar nga abuzimet me tokat, të cilat po gjykohen në dosjen “Kashari I”, mund të përfitojnë tokat e tyre me anë të një padie civile të mbështetur nga vendimet e fajësisë së ish-krerëve të komunës, të cilat shfuqizojnë praktikat abuzive të pronësisë të dhëna nga tre ish-krerët e komunës, tashmë të arrestuar.
        

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›