E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbi provimin, tenton të mbytet

“Sezoni i vjeshtës” për studentët që nuk kanë marrë notë kaluese gjatë vitit të kaluar akademik, ka shtuar tek ta ankthin dhe depresionin. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Kështu ndodhi edhe për një studente 21-vjeçare nga Vlora, e cila tentoi të vetëmbytej në det kur nuk arriti të kalojë as në provimin e dhënë dje për së dyti. Ngjarja ndodhi kur studentja e vitit të katërt në degën e Biznesit, në  Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, u gjet nga Policia Kufitare në det në një largësi që vetëm notarët profesionistë mund të arrinin të ktheheshin. Studentja me inicialet A.H., banuese në lagjen “1 Maji” në qytetin bregdetar, është vënë re nga efektivët e Policisë Kufitare rreth orës 12:30. Ndërsa ata po patrullonin në det, kanë vënë re një person që po notonte në drejtim të thellësisë, larg zonës ku mund të arrijnë jo profesionistë në sportin e notit. Rojet bregdetare janë afruar kur konstatuan se personi kishte hyrë në një thellësi që vështirë të kishte fuqi të rikthehej në breg. Kur u afruan, ata panë se personi që notonte ishte një vajzë. Rojet bregdetare i hodhën vajzës, të cilën kishin filluar ta linin fuqitë për të notuar, një xhup shpëtimi. Por ajo kishte refuzuar ta merrte. Veprimi i saj vuri në dyshim efektivët, derisa njëri prej tyre u hodh në det. Ai kapi vajzën dhe e detyroi atë të hipte në mjetin lundrues. Mbasi ajo hipi në mjet, policia e mbështolli me një batanije që e kishte në bord, pasi ajo kishte dridhje të trupit dhe kishte pirë shumë ujë. Por gjendja depresive e studentes ishte rënduar, aq sa ajo tentoi të hidhej sërish në det. Kur efektivët kanë nisur ta qetësojnë, 21-vjeçarja ka nisur të qajë duke pohuar se nuk e donte më jetën. Sapo kanë mbërritur në port, një autoambulancë që e priste e ka çuar studenten në spital. Të afërmit e saj janë munduar ta qetësojnë, ndërsa ajo e vrarë në sedër përsëriste se nuk kishte mundur të merrte provimin e radhës në sezonin e vjeshtës. Pasi është përmirësuar gjendja e saj, blutë e morën në pyetje 21-vjeçaren që tentoi të vetëmbytej në ujërat e detit. Sipas burimeve, ajo pohoi se kishte mbetur në katër provime gjatë vitit shkollor. Mosarritja te rezultatet që dëshironte e ka shtyrë atë të marrë vendim fatal për jetën e saj, por që fatmirësisht rojet bregdetare ndërhynë në kohë. “Dhashë një provim, por sërish ngela. Nuk e dua më jetën. Bëra të pamundurën për të mësuar dhe për të kaluar, por aq arrita...”, është shprehur ajo. Pas disa orësh, gjendja shëndetësore e saj është përmirësuar, ndonëse gjithë kohës qante dhe ishte e stresuar dhe e traumatizuar. Studentja pohoi te familjarët e saj se kishte vendosur të notonte derisa ta linin fuqitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›