Vrasja e “Bandës së Lushnjës”, ballafaqim dëshmitarëve
TIRANE – Deklarimet kontradiktore të dy dëshmitarëve të “Bandës së Lushnjës” janë bërë shkak që Gjykata e Krimeve të Rënda t’i thërrasë ata për t’i ballafaquar në seancë gjyqësore. Kështu, ditën e djeshme në procesin në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të bandës: Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka dhe Rexhep Gina, gjykata kishte caktuar të ballafaqonte dy dëshmitarët, Arben Kicja dhe Lorenc Hajdari. Kicja, i cili tashmë ka fituar statusin e dëshmitarit të drejtësisë, ka pohuar me anë të videokonferencës se kishte parë që Aldo Bare, kreu i “Bandës së Lushnjës” të ishte pjesëmarrës në ekzekutimin e tregtarit shqiptaro-maqedonas Xhevdet Demiri, në gusht të vitit 1997. Ndërsa dëshmitari tjetër, Hajdari, pohon të kundërtën, madje sipas tij nga vendi ku pretendon se ndodhej Kicja nuk shihej vendngjarja. Për shkak të këtyre kundërthënieve gjykata vendosi t’i ballafaqojë këta dëshmitarë. Kicja, i cili për shkak të statusit ruhet nga efektivët e forcave speciale, u shoqërua dje i maskuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndërsa dëshmitari tjetër Hajdari, i cili ishte njoftuar nga gjykata nuk u paraqit, duke u bërë shkak që të shtyhej seanca dhe të përsëriteshin thirrjet. Ndërkohë po dje në një tjetër proces, ku po gjykohen dy krerët e “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, Krimet e Rënda vendosën të caktonin një ekspert për përkthimin e letërporosisë së mbërritur nga Italia, me të cilën konfirmohet dijenia e Dondollakut për procesin në Tiranë. fa.ma.